Situata në veri të Kosovës duket se është mjaft e tensionuar, pasi janë dëgjuar shpërthime kryesisht në komunën Zubin Potok. Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një statusi të publikuar në rrjetin e tij social Facebook.
Kurti ka akuzuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, i cili, sipas tij, “po paguan bandat kriminale”.
Sipas kreut të qeverisë kosovare, bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës, pasi ato e dinë se po ju vjen fundi. Kurti thekson se “qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato”.
“Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje”- shkruan Kurti.
Ai deklaron se do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e drejtohen nga presidenti i saj.
“Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë.”- deklaron Kurti.
/rtsh.al/