RTSH 24 Live

Botë

Tensionet në Tajvan/ Kina ndërpret bashkëpunimin në disa fusha të rëndësishme me SHBA

05/08/2022

Tensionet në Tajvan/ Kina ndërpret bashkëpunimin në disa fusha të rëndësishme me SHBA

Kina ndalon bashkëpunimin me SHBA-në në disa fusha të rëndësishme, duke përfshirë ndryshimin e klimës, bisedimet ushtarake dhe përpjekjet për të luftuar krimin ndërkombëtar, raporton BBC.

Masat u njoftuan nga ministria e jashtme e Kinës ku thuhet se dialogu midis zyrtarëve të mbrojtjes amerikane dhe kineze do të anulohej, ndërsa bashkëpunimi për kthimin e emigrantëve të paligjshëm, ndryshimin e klimës dhe hetimin e krimit ndërkombëtar do të pezullohej.

Masat e reja vijnë si pasojë e udhëtimit në Tajvan nga një delegacion i Kongresit të SHBA i kryesuar nga demokratja e lartë Nancy Pelosi.

Më herët Kina lajmëroi se po sanksiononte zonjën Pelosi dhe familjen e saj pasi e sheh vizitën si një sfidë ndaj pretendimeve të saj për sovranitet mbi Tajvanin.

Edhe pse SHBA nuk e njeh zyrtarisht Tajvanin, Uashingtoni mban një marrëdhënie të fortë me ishullin, që përfshin shitjen e armëve për Tajvanin për t'u mbrojtur.

Duke folur për BBC, Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu mbrojti vizitën e Pelosit, duke u shprehur se do të "rriste profilin e Tajvanit dhe do të lejonte komunitetin ndërkombëtar të kuptojë se Tajvani është një demokraci".

Kina e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur që përfundimisht do të jetë nën kontrollin e Pekinit. Megjithatë, Tajvani është një ishull i vetëqeverisur që e sheh veten të dallueshëm nga kontinenti.

/rtsh.al/