RTSH 24 Live

Kosova

Tensionet në Kosovë/ Borrel takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiç në Paris

11/11/2022

Tensionet në Kosovë/ Borrel takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiç në Paris

Situata në veri të Kosovës vijon të mbetet e tensionuar, teksa shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell, do të zhvillojë në Paris takime të ndara me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Lajmin e ka bërë me dije zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, përmes një postimi në Twitter, ku shkruan se Unioni do të vazhdojë përpjekjet për të ndihmuar në uljen e tensioneve mes dy vendeve.

BE vazhdon përpjekjet për të ndihmuar në uljen e tensioneve dhe lehtësimin e përparuar të dialogut Kosovë-Serbi, Josep Borrell do të takoj nesër në Paris, në takime të ndara kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandër Vuçiç”, ka shkruar Stano.

Të enjten, dy krerët e Kosovës, kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, zhvilluan një takim me Presidentin francez, Emmanuel Macron. Pas përfundimit të takimit, Osmani dhe Kurti, dolën me një komunikatë të përbashkët, ku deklaruan se diskutuan në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar, kjo për shkak të largimit të Listës Serbe nga institucionet. Në mos dakordësi me vendimet e qeverisë për targat, kryetari dhe 10 deputetë të tjerë të Listës Serbe dhanë dorëheqjen. Pas dorëheqjes, Lista Serbe po mban një protestë, për shkak të vendimit të Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe KM (Mitrovicë e Kosovës) në targat RKS – Republika e Kosovës. Lidhur me këto zhvillime, BE ka reaguar duke u bërë thirrje të dy vendeve që të përmbahen nga çdo veprim që mund të destabilizojë gjendjen.

/rtsh.al/