RTSH 24 Live

Rajon

Tensionet BE-Turqi, Erdogan thotë se kërkimet për naftë do të vazhdojnë

03/07/2021

Tensionet BE-Turqi, Erdogan thotë se kërkimet për naftë do të vazhdojnë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se Turqia do të vazhdojë kërkimet për naftë dhe gaz në Mesdheun lindor. Komentet e tij mund të ringjallin tensionet me Bashkimin Evropian dhe Greqinë. 

Prej kohësh Turqia është në mosmarrëveshje me dy vendet anëtare të BE-së, Greqinë dhe Qipron, për të drejtën e kërkimeve të gazit në Mesdhe. Vitin e kaluar tensionet u përshkallëzuan aq shumë, saqë Athina dhe Ankaraja dërguan luftanije në rajon. Por, pas presionit të BE-së, të dyja vendet u përfshinë në bisedime dhe raportet shkuan duke u qetësuar. 

Duke folur në provincën veriperëndimore të Sakarya, Erdogan tha se Turqia posedon të dhënat për "gaz natyror" në Mesdheun lindor dhe u zotua se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e vendit të tij për rajonin. "Do të kryejmë operacionet tona të kërkimit të naftës në Mesdheun lindor, Qipro dhe të gjitha ato dete", tha ai, pa ofruar detaje për një afat kohor.

Vitin e kaluar, udhëheqësit e BE-së e patën kërcënuar Turqinë me sanksione nëse nuk e tërhiqte anijen Oruç Reis nga Mesdheu.  Por, edhe Bashkimi Evropian është i kujdesshëm në raport me Turqinë pasi presidenti turk disa herë e ka kërcënuar bllokun se mund të hap kufijtë për miliona migrantë nga Lindja e Mesme që ndodhen në Turqi. 

Komentet e Erdoganit për kërkimet e gazit u bënë një javë pasi BE-ja premtoi 3.5 miliardë euro në mënyrë që Turqia të vazhdojë të strehojë refugjatët sirianë deri më 2024. Ankaraja e ka hedhur poshtë ofertën, dhe i bëri thirrje bllokut të tregojë gatishmëri konkrete për të rritur bashkëpunimin.