RTSH 24 Live

Rajon

Tensione në Kuvendin serb për Kosovën, opozita bllokon Foltoren: Mos pranoni planin franko-gjerman

02/02/2023

Tensione në Kuvendin serb për Kosovën, opozita bllokon Foltoren: Mos pranoni planin franko-gjerman

Parlamenti serb ka zhvilluar një seancë kaotike gjatë diskutimeve për Kosovën, ku i pranishëm ishte edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Deputetët e opozitës, të cilët refuzojnë planin franko-gjerman, e quajtën Vuçiç tradhtar dhe u  ngritën me parrulla e të bërtitura duke bllokuar Foltoren e Kuvendit. Mes deputetëve të opozitës dhe partisë në pushtet ka pasur edhe konfrontim fizik.

Vuçiç u përball me një pritje armiqësore nga opozita, e cila i kërkoi parlamentit të refuzonte planin dhe e akuzoi atë për tradhti ndaj Serbisë.

Plani nuk është bërë publik zyrtarisht, por Vuçiç tha se ai përcakton se Serbia nuk do të kundërshtojë përfshirjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë Kombet e Bashkuara, megjithëse nuk do të duhet të njohë zyrtarisht shtetësinë e saj.

Nga ana tjetër në Kosovë, kryeministri Albin Kurti ka vendosur kushte për formimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, i cili mbështetet edhe nga SHBA-ja edhe nga BE-ja. Kurti tha se asociacioni mund të formohet vetëm si pjesë e një marrëveshjeje të përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve.

Mosmarrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës ka qenë një burim tensioni në Ballkan që nga lufta në vitet 1998-1999.

/rtsh.al/