Kuvendi po zhvillon sot një seancë maratonë ku nuk kanë munguar tensionet dhe bllokimi i foltores gjatë diskutimit për projektin e Portit të Durrësit.
Shkak këtë herë ka qenë debati mes deputetit të PD-së, Oerd Bylykbashi i cili ka kërkuar fjalën për procedurë, por nënkryetarja Ermonela Felaj i kërkoi që të ulej, pasi nuk po fliste për procedurë. Kjo shkaktoi tensione ku grupi i Rithemelimit u ngrit për të bllokuar foltoren.
Pas këtij tensioni fjalën e ka mbajtur Sali Berisha, i cili tha se porti i Durrësit dhe inceneratorët janë afera identike që financohen nga kompani offshore.
“Të dyja shkelin çdo ligj, çdo procedurë, çdo kushtetutë, çdo akt ndërkombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Të dyja zhvillohen pa garë dhe me sipërmarrës të paracaktuar. Të dyja zhvillohen me financime nga offshore, nga shpellat e offshore. Ai i shihni ju këto ngjashmëri. Njëlloj si me djegësit në të cilët dalin Gugalet, Mërtirët etj., vetëm si maskë e Edi Ramës, Arben Ahmetaj, Engjëll Agaçit dhe Erion Veliajt. Edhe këtu kemi skenë identike. Edhe këtu kemi, 4 herë ndryshon emrin sipërmarrja që do të votoni ju. Çfarë është kjo, janë maska që Edi Rama vendos për të fshehur vjedhjen e tmerrshme që bën. Porti i Durrësit është një akt armiqësor ndaj shqiptarëve, sepse u zhduk portin më të leverdishëm të kohërave që kanë pasur. U zhduk portën më jetike të hyrjes dhe daljes së mallrave nga bota dhe për botën. U zhduk dhe rrit defakto çmimin e mallrave që do të blejnë, për shkak të transportit, sepse transporti tani do të bëhet nga Selaniku, Tivari, por jo më nga portet shqiptare”, tha Berisha.
/rtsh.al/