RTSH 24 Live

Aktualitet

Tendencë në rritje për “shtëpitë e barit”, nuk “kursehen” ish-pronat shtetërore

30/11/2024

Tendencë në rritje për “shtëpitë e barit”, nuk “kursehen” ish-pronat shtetërore

Në 11 muajt e këtij viti ekspertët e Policisë së Shtetit kanë konstatuar rritje të fenomenit të përdorimit të ish-pronave shtetërore, por edhe atyre private, për kultivimin e bimëve narkotike.

Rasti më i fundit u konstatua gjatë së premtes në Vaun e Dejës, ku në një ambient të përshtatur për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave, u gjetën 578 fidanë të dyshuar si kanabis sativa në kubikë dhe në vazo si dhe 103 llamba elektrike që shërbenin për realizmin e kësaj veprimtarie kriminale.

Edhe në këtë rast, u vu në pranga elektricisti i zonës dhe u proceduan penalisht tre pjesëtarë të grupit të punës së OSHEE-së që mbulojnë  zonën.

Një muaj më parë, në Tiranë në një magazinë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës u gjet një tjetër ambient, ku ishin kultivuar bimë kanabis sativa nëpërmjet llambave.

Të dhënat e Policisë së Shtetit bëjnë të ditur, se për vitin 2024 janë referuar dhe ndjekur 119 procedime proaktive kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Janë evidentuar 35 raste të sekuestrimit të farave të bimës narkotike kanabis sativa, ku janë sekuestruar 45 mijë e 351 fara, nga 8 raste me 16.712 fara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Evidentimi i dy rasteve që në fazën e krijimit të ambienteve me llamba dhe goditja e 6 rasteve të kultivimit në ambiente të mbyllura fakton edhe rritjen e fenomenit.

Policia ka gjetur dhe sekuestruar 381 bimë narkotike dhe 3040 fidanë në kubikë,  ku numërohen 29 të proceduar, 18 autorë kultivimi, 9 punonjës të OSHEE, një kryetar fshati të proceduar dhe një qytetar për moskallëzim krimi.

Ndërsa për kultivimin e bimëve narkotike në mjedise të hapura, gjatë 11 muajve të këtij viti janë evidentuar 662 raste që kanë çuar në arrestimin e 128 autorëve të dyshuar, procedimin penal të 103 zyrtarëve vendorë, të implikuar në këtë veprimtari kriminale, nëpërmjet shpërdorimit të detyrave dhe/ose moskallëzimit të këtij krimi;

Asgjësimin e 262.409 bimëve narkotike dhe 89.152 fidanëve narkotikë; kryerjen e 216.280 kontrolleve dhe 341.520 orëve të shërbimit, dhe nëpërmjet 51 dronëve.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/