RTSH 24 Live

Aktualitet

Teknologjia dhe bujqësia, Rama: Fermerët të shtojnë eksportet dhe jo të mallkojnë qeverinë duke hedhur produktet

28/06/2022

Teknologjia dhe bujqësia, Rama: Fermerët të shtojnë eksportet dhe jo të mallkojnë qeverinë duke hedhur produktet

Zhvillimi i bujqësisë për të shtuar prodhimin dhe lidhur kontrata eksporti ka nevojë për zhvillimin teknologjik dhe inovacionin dhe kjo bëhet përmes informimit të fermerit. Bujqësia është sektori kyç i ekonomisë sonë dhe thirrja e kryeministrit Rama për fermerët është që ato të orientohen drejt dijës dhe mallkime ndaj qeverisë kur hedh produktet e tyre në rrugë.

Rama tha se fermerët duhet të mësojnë nga të tjerët dhe të shtonë eksportet e tyre duke përmendur disa shembuj suksesi në vendin tonë.

“Të krijojmë sa më shumë kanale komunikimi me të gjithë komunitetin e fermerëve për të përcjelle informacionet më të fundit për zhvillimet teknologjike, për të përcjellë edhe të gjithë informacionin e nevojshëm për mundësitë e financimeve, bashkëpunimeve dhe sinergjive të ndryshme. Këtu në territorin e bujqësisë sonë ka shumë shembuj zhvillimi dhe suksesi nëpërmjet dhënies së vëmendjes së veçantë te dija. Josifi është një nga kampionët e bujqësisë sonë. Jo se ka pasur më shumë se të tjerët, por sepse ka ditur më shumë se të tjerët, sepse është përkushtuar në rrugën e dijes, së informacionit, të inovacionit, të marrjes së eksperiencave më të mira. Dhe sot serat e tij janë shembuj spektakolar jo për Shqipërinë, por të ekselencës europiane. E gjitha lidhet me dijen, sepse vullnet për të punuar tokën kanë edhe të tjerë. Nuk është se ata që shohim në televizor duke mallkuar shtetin, ju mungon vullneti për punë apo nuk u ka rrjedhur djersa për ato produkte. Edhe vullnetin e kanë dhe djersën e kanë derdhur, por diferencën e bën dija, që lidhet me informacionin. Këtu i takon qeverisë të bëjë edhe më shumë, për të komunikuar, shpjeguar dhe njoftuar , por edhe vetë fermerëve u takon të bëjnë më shumë. Nuk ka nevojë të na dëgjojë askush ne por të shkojnë e shohin si bëjnë të tjerët”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se ambicia e qeverisë së tij është që të arrijnë 1 miliard eksporte të kombinuara bujqësi dhe peshkim

“Sot jemi në 125 mln, ambicia është që peshkimi të shkojë në 300 mln. Dihet që objektivi 1 mld eksporte të kombinuara bujqësi , peshkim. Dhe në këtë mënyrë hymë në bujqësinë sipërmarrëse në shkallë të gjerë”, tha Rama.

Këto deklarata u bënë gjatë një takimi mes ekspertësh shqiptarë e të huaj, me fermerët, agropërpunuesit, përfaqësues nga Shërbimi i Këshillimit dhe Qendrat e Transferimit të Teknologjive në vend, pedagogë dhe studentë nga Universiteti Bujqësor Tiranë, si dhe përfaqësues nga programet ndërkombëtare të ndihmës në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural në vend.

/rtsh.al/