Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, duke garantuar se ai do të jetë një ndër godinat me arkitekturën më të bukur në Evropë.
"Deri në fund të tetorit do e kemi guaskën e mbyllur. Do shikoni se çfarë Teatri Kombëtar do të kemi. Do të jetë pa asnjë diskutim Teatri më i bukur Kombëtar në gjithë rajonin, monumente që janë të pakonkurrueshme në formën e tyre në Europë," u shpreh kryeministri.
Ai u informua se konstruksioni i godinës pritet të përfundojë në muajin tetor, ndërsa kishte dhe një mesazh për të gjithë nostalgjikët e ndërtesës së vjetër.
"Të gjithë ata të lënduarit me humbjen e asaj që kishim, që ishte një godinë nostalgjie, por pa asnjë lloj vlere të qëndrueshme për të vazhduar që të rrinte aty, do të ndihen të lehtësuar, sepse përveç Teatrit kemi edhe një shesh komplet tjetër që fiton," tha z. Rama.
Më pas, kreu i qeverisë dhe nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, inspektuan në Lundër kantierin e punimeve për ndërtimin e rrugës që e lidh atë me autostradën Tiranë–Elbasan.
Gazetare: Denada Shkodrani
/rtsh.al/