RTSH 24 Live

Aktualitet

Të dënuar për trafik droge dhe plagosje, ekstradohen 4 shqiptarë nga Italia, Gjermania dhe Franca

25/06/2022

Të dënuar për trafik droge dhe plagosje, ekstradohen 4 shqiptarë nga Italia, Gjermania dhe Franca

4 shqiptarë janë ekstraduar nga Italia, Gjermania dhe Franca, pasi akuzohen për vepra të ndryshme kriminale në vendin tonë ku dhe do të vuajnë dënimin.

Nga Italia u ekstradua Bekim Lekaj, 30-vjeç, banues në Tropojë. Ai është dënuar me 8 vjet, 2 muaj e 10 ditë burgim, për veprat penale "Vjedhja" dhe "Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. 

Nga Gjermania u ekstradua Romario Kapidani, 28-vjeçari nga Durrësi, pas ishte shpallur në kërkim, sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet e 8 muaj burgim.

Gjithashtu po nga Gjermania u ekstradua dhe 29-vjeçari E.M. alias E.K, 29 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ndërsa nga Franca u ekstradua 30-vjeçari Deivis Jaho, pasi ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor''.

/rsht.al/