RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Të ardhura nga krimi, sekuestrohen tre llogari

03/07/2021

Të ardhura nga krimi, sekuestrohen tre llogari

Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka miratuar kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për vendosjen e sekuestros preventive mbi tre llogari bankare në vlerën totale 100.000 euro.

Ato i përkasin shtetases Lumturi Çervenaku, e ëma e shtetasit Rando Hodollari i dënuar në shtetin grek për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike të kryer në kuadrin e një grupi kriminal ku ai ka patur rolin e drejtuesit të grupit. 

Ky sekuestrim është kryer në kuadër të procedimit penal të regjistruar për veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”. 

Sekuestrimi i llogarive bankare është bazuar në të dhëna të arsyeshme që provojnë se këto pasuri burojnë nga të ardhura të fituara si pasojë e aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve të kryer në vazhdimësi nga shtetasi Rando Hodollari në shtetin grek. 

Hodollari, u arrestua më 22 janar të 2018-ës, bashkë me 3 shqiptarë të tjerë, të cilët dyshohet se kishin krijuar grupin kriminal prej fillimit të vitit 2017. Po ashtu u tha se kapoja i grupit është 27-vjeçari Rando Hodollari, ndërsa zëvendësi i tij ishte 31-vjeçari Spartak Zene. 

Në atë kohë mediat greke raportuan se Hodollari, i cilësuar si kreu i grupit, ka rezultuar i shpallur në kërkim në Greqi, i dënuar me 10 vjet burg për trafik droge. Gjithashtu ai ka qenë i dënuar më parë për tentativë vrasjeje.