RTSH 24 Live

Ekonomi

Tatimet publikojnë nivelin e pagës maksimale nga 1 janari

20/01/2021

Tatimet publikojnë nivelin e pagës maksimale nga 1 janari

Administrata Tatimore publikoi nivelin e pagës maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Sipas DPT-së, duke filluar nga janari i këtij viti, paga bazë minimale mujore, në shkallë vendi për punonjësit, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik apo fizik, vendas apo i huaj, është 30,000 lekë.

Për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, DPT shpjegon se paga bruto mujore, do të jetë jo më pak se sa paga minimale mujore, e barabartë me 30 mijë lekë dhe deri në 132,312 lekë për personat e punësuar, të vetëpunësuar dhe e barabartë me pagën minimale mujore prej 30 mijë lekë, për punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht.

Gjithashtu, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimit shëndetësor, paga mujore do të jetë jo më pak se sa paga minimale mujore në shkallë vendi, prej 30 mijë lekë dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës së listëpagesës, për personat e punësuar.

Sa dyfishi i pagës minimale në shkallë vendi, prej 60 mijë lekë, për personat e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton.

Në fund të vitit 2013 në Shqipëri rezultonin të punësuar 473 506 persona, ndërsa në fund të vitit 2019 janë të regjistruar 698 235 mijë shtetas të punësuar. Sipas shifrave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve figurojnë 225 mijë të punësuar më shumë krahasuar me vitin 2013.

Rritja e numrit të të punësuarve u ndikua edhe nga vendosja e tatimit progresiv mbi të ardhurat personale, nga ku përfituan 97% e të punësuarve në vend, dhe numri i të punësuarve u shtua me 46%.