RTSH 24 Live

Kosova

Targat/ Lajçak takon zëvendëskryeministrin e Kosovës: Nevojë urgjente për të gjetur një zgjidhje

15/11/2022

Targat/ Lajçak takon zëvendëskryeministrin e Kosovës: Nevojë urgjente për të gjetur një zgjidhje

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian, për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak, ka takuar në Bruksel zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Në një postim në Twitter, pas takimit, Lajçak bën të ditur se çështja e targave ishte njëra nga temat e diskutimit ku apelon për gjetjen e një zgjidhje urgjente për normalizimin e situatës në veri të Kosovës. Për Lajçak çdo përshkallëzim apo akt dhune, është i papranueshëm.

“Sot po diskutoj për krizën aktuale në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në veçanti çështjen e targave. Ne kemi nevojë urgjente për të gjetur një zgjidhje për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në terren. Çdo përshkallëzim apo dhunë është e papranueshme’, shkruan Lajçak.

Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, akt i cili ka rritur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Kosovës do që këto makina të riregjistrohen me targa të Republikës së Kosovës, RKS, por Serbia kundërshton, duke këmbëngur në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës. Si pasojë e rritjes së tensioneve, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

BE-ja ka kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës shtyrjen e planit për riregjistrimin e makinave, me qëllim shmangien e tensioneve, ndërsa kjo e fundit ka nisur zbatimin në nëntor.

/rtsh.al/