RTSH 24 Live

Botë

Tanke për Ukrainën, Gjermania do të dërgojë Leopard 2! Gati edhe SHBA të miratojë tanket Abrams

24/01/2023

Tanke për Ukrainën, Gjermania do të dërgojë Leopard 2! Gati edhe SHBA të miratojë tanket Abrams

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka vendosur të dërgojë tanke Leopard 2 në Ukrainë, si dhe të lejojë vendet e tjera që të bëjnë të njëjtën gjë. Lajmi bazohet në raportime nga Gjermania.

Leopard 2 janë prodhuar në Gjermani, dhe, si rrjedhim, duhet të jetë Berlini që duhet të miratojë eksportimin e tyre. Gjermania deri tani ka hezituar të dërgojë tanket e veta, ose të lejojë vendet e tjera që të dërgojnë të tyret, për shkak të shqetësimeve se kjo mund të përshkallëzojë konfliktin me Rusinë.

Por tani, sipas BBC, Scholz ka vendosur të dërgojë të paktën një kompani tankesh Leopard 2 A6. Një kompani përbëhet zakonisht nga 14 tanke, të njëjtin numër Leopard që Polonia dëshiron të dërgojë në Ukrainë, dhe të njëjtin numër tankesh Challenger 2 që Mbretëria e Bashkuar i ka dërguar tashmë në Ukrainë. Nuk ka ende një deklaratë zyrtare nga qeveria gjermane rreth kësaj çështje.

Ukraina i sheh tanket si jetike për të thyer linjat ruse, si dhe për të mposhtur një ofensivë të parashikuar ruse këtë pranverë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, beson se rreth 300 tanke Leopard do ta ndihmonin atë të mposhtte Rusinë. Vendet aleate janë shprehur të shqetësuara nga ajo që ata e perceptojnë si ngurrim gjerman për të dërguar automjete të blinduara. Kryeministri polak Mateusz Morawiecki i tha BBC-së më herët të martën se Gjermania kishte një "përgjegjësi të veçantë" për të mbështetur Ukrainën, pasi kishte mundësuar krijimin e "fondeve të mëdha për Rusinë" përpara luftës, duke blerë gazin e saj.

Ndërkohë, pas Gjermanisë, duket se edhe SHBA po bëhet gati të miratojë dërgimin e tankeve M1 Abrams në Ukrainë. Vendimi mund të shpallet shumë shpejt, megjithëse mund të duhen muaj ose vite që tanket të dorëzohen.

SHBA-ja kishte rezistuar në ofrimin e tankeve të veta M1 Abrams në Ukrainë, teksa një zyrtar amerikan tha se hezitimi fillestar i administratës bazohej në shqetësimet për trajnimin e nevojshëm dhe ruajtjen e tankeve. Ndryshimi i vendimit vjen vetëm disa ditë pasi një koalicion prej më shumë se 50 zyrtarësh të lartë të mbrojtjes nga Evropa dhe më gjerë u takuan në Gjermani për të diskutuar nevojat e luftës të Ukrainës.

/rtsh.al/