RTSH 24 Live

Rajoni

Takimi me emisarët e SHBA-ve dhe BE-së/ Vuçiç: Serbinë e presin telashe, dje ishte një nga ditët më të vështira për ne

21/01/2023

Takimi me emisarët e SHBA-ve dhe BE-së/ Vuçiç: Serbinë e presin telashe, dje ishte një nga ditët më të vështira për ne

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se takimi me emisarët e SHBA-ve dhe BE-së ishte një nga ditët më vështira për Serbinë.

Vuçiç tha se të hënën do t’iu drejtohet qytetarëve lidhur me bisedimet në takimin e së premtes me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak që drejtoi delegacionin e përbërë nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e presidentit të Francës, kancelarit gjerman dhe të kryeministres italiane.

 “Dje ishte një nga ditët më të vështira për vendin tonë dhe kurrë nuk kam fshehur nga njerëzit në Serbi kur ndodhin gjëra të tilla. Ne do të kemi shumë telashe dhe probleme me të cilat do të përballemi në të ardhmen dhe për këtë na duhet unitet dhe nga ata që e prisja për shkak të përgjegjësisë që duhej të tregonin, përkatësisht përfaqësuesit tanë politikë, këtë nuk e morëm”, tha Vuçiç.

Më tej ai tha se “kemi marrë bashkimin e tyre, pavarësisht se të kundërtën e kanë thënë vetëm pak ditë më parë për një temë ku askush nuk duhet të dalë kundër dikujt”.

“Fatkeqësisht ata zgjodhën të shkojnë kundër Serbisë edhe këtë herë. Ne do ta ruajmë dhe mbrojmë Serbinë”, ka thënë Vuçiç.

Pas takimit me pesë diplomatët perëndimorë, Vuçiç tha se Beogradi është i gatshëm të punojë në zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

/rtsh.al/