Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar mbrëmjen e së martës (12 shtator) një bisedë telefonike me të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stjuart Piç (o. Lord Stuart Peach).
Kryefjalë e bisedës me tyre ishte takimi që kryeministri Kurti do të zhvillojë në Bruksel me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq (o. Vucic).
Në këtë bisedë, sikurse bën me dije zyra e kryeministrit Kurti, u vu theksi te zbatimi i shpejtë, i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të saj të dakordësuar në Ohër.
“Folën për çështjet aktuale, duke përfshirë marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe takimin e radhës të nivelit të lartë të dialogut me 14 shtator në Bruksel. U theksua nevoja për zbatimin e shpejt, të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër. Ata po ashtu folën edhe për situatën politike dhe të sigurisë në rajon”, thuhet në njoftim.
Më 14 shtator, të dy liderët do të priten në takim nga përfaqësuesi i lartë i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Xhosep Borel (o. Josep Borrell).
Ky i fundit së bashku me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak (o. Lajcak) do të zhvillojë takime të veçanta me Kurtin dhe Vuçiqin.
/rtsh.al/