Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani deklaroi se e Italia mund të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së trupave në zonat e ardhshme tampon në Ukrainë si pjesë e një misioni paqeruajtës të OKB-së, ndërsa vuri në dukje se ai nuk besonte se trupat evropiane ose të NATO-s do të ishin të dobishme.
“Ne kurrë nuk kemi diskutuar një çështje të tillë dhe nuk e konsideroj të dobishme dërgimin e forcave evropiane apo të NATO-s në Ukrainë”, tha Tajani.
“Nëse do të krijohet një zonë neutrale, forcat duhet të dërgohen nën flamurin e OKB-së. Në këtë rast, mund të ketë një gatishmëri nga ana e Italisë për të marrë pjesë – siç është për Palestinën – por gjithmonë me përgjegjësinë e të gjithëve”, shtoi kreu i diplomacisë italiane.
Ai shtoi se "një forcë ndërhyrëse duhet të jetë nën Kombet e Bashkuara, kështu që ajo është neutrale". Tajani javën e kaluar shprehu skepticizëm rreth planit të kryeministrit britanik Keir Starmer për dërgimin e 30,000 trupave evropiane në Ukrainë për të ruajtur një marrëveshje të mundshme armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA.
Burime të qeverisë italiane thanë për të njëjtën temë se “Italia gjithmonë ka pohuar se dërgimi i forcave të saj në Ukrainë nuk është në rendin e ditës. Nëse në të ardhmen krijohet një mision i OKB-së me forca nga vende të ndryshme, kjo është diçka që mund të diskutohet. Por nuk është bërë asnjë raport përkatës dhe nuk ka nisur një diskutim i tillë brenda mazhorancës që mbështet qeverinë”.
/rtsh.al/