RTSH 24 Live

Ekonomi

TABELAT/ INSTAT: Bie numri i lejeve të ndërtimit në 12 qarqet e vendit

07/12/2022

TABELAT/ INSTAT: Bie numri i lejeve të ndërtimit në 12 qarqet e vendit

Të dhënat për lejet e ndërtimit në vendin tonë, përgjatë tremujorit të tretë të këtij viti, kanë shënuar rënie, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Një raport i INSTAT, lidhur me lejet e ndërtimit të dhëna në 12 qarqet e vendit si Tirana, Durrësi, Berati, Elbasani, Vlora, Lezha Shkodra, Kukësi, Dibra, Fieri, Gjirokastra dhe Korça,  ofron detaje, lidhur me lejet e ndërtimit të miratuara përgjatë tremujorit të tretë të 2022, ku, sipas raportit, janë miratuar gjithsej 269 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 442 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2021, duke shënuar një rënie prej 39,1 %.

Po sipas raportit, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit e miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2022, është 418.685 m2, nga 564.266 m2 që u miratuan në tremujorin e tretë 2021, duke shënuar një rënie prej 25,8 %.

“Në tremujorin e tretë 2022, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 21,6 miliardë lekë, nga 22,5 miliardë lekë miratuar në tremujorin e tretë 2021, duke shënuar një rënie prej 3,8 %”- thuhet në raport.

Po cila është metodologjia e ndjekur për të dhënat

“Lejet e ndërtimit” kanë për qëllim që të paraqesin  informacion mbi lejet e ndërtimit të miratuara për ndërtesa dhe punimeve inxhinierike në nivel qarku dhe vendi.

Treguesit kryesorë të lejeve të ndërtimit të miratuara, janë:

  1. Numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja.
  2. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja.
  3. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike.
  4. Të dhënat mbi lejet e ndërtimit të miratuara janë të dhëna administrative.

Ndërtesat klasifikohen në dy lloje të ndryshme kategorish:

1) Ndërtesa për banim (rezidente).

2) Ndërtesa të tjera (jo rezidente), ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, ndërtesa për zyra, ndërtesa industriale, ndërtesa tregtare, etj. /rtsh.al/