RTSH 24 Live

Botë

Super operacioni kundër klanit Ndrangeta, fundoset një tjetër politikan në Itali

21/01/2021

Super operacioni kundër klanit Ndrangeta, fundoset një tjetër politikan në Itali

Italia sapo doli nga mundësia e një krize politike që do të kishte paralizuar vendin, duke miratuar për pak vota besimin ndaj kryeministrit Giuseppe Conte. Por sot, faqet e para të mediave italiane janë të gjitha për operacionin e madh të forcave të rendit ndaj pasurive dhe bashkëpunëtorëve të  ’Ndrangetës  kalabreze, një nga organizatat e strukturuara kriminale e më të fuqishme në Itali dhe jo vetëm.

Si rezultat i operacionit, u kryen dhjetëra arrestime në gjithë Italinë, ku spikasin emra të  njohur të sipërmarrjes dhe politikës, dhe u sekuestruan asete, ndërtime dhe mjete luksoze për një vlerë shumë të rëndësishme, ku vetëm transaksionet e parave ndaj subjekteve të ndryshme të lidhur me ‘Ngrangheta i afrohen 300 milionë eurove.

Një nga të hetuarit është edhe lideri i një partie të qendrës, UDC, që ka trashëguar simbolet e “Democrazia Cristiana”, partia që ka dominuar politikën italiane pas Luftës së Dytë Botërore. Bëhet fjalë për sekretarin e partisë UDC, Lorenzo Casa, deputet dhe eurodeputetët duke filluar nga viti 2005, dhe një nga politikanët më ekspertë në pallatet e pushtetit italian.

Banesa e tij në Romë u hetua imtësisht mëngjesin e sotëm, nga momenti që Cesa, si dhe të tjerë të hetuar, akuzohen për bashkëpunim me organizatën mafioze.  Lideri i partisë deklaroi se “nuk ka lidhje me asnjë nga akuzat, por në këtë fazë delikate për vendin do të paraqesë dorëheqjen e tij nga partia”.