Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka dënuar aktet terroriste që kanë shkatërruar infrastrukturën e furnizimit me ujë në Kanalin e Ibër-Lepenc në Kosovë.
Ajo theksoi se këto sulme jo vetëm që dëmtojnë shërbimet jetike për qytetarët, por gjithashtu rrezikojnë stabilitetin dhe përpjekjet për paqe dhe zhvillim në rajon.
“Aktet terroriste të shkatërrimit të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë në Kanalin e Ibër-Lepencit, nuk dëmtojnë vetëm shërbimet jetike ndaj qytetarëve të Kosovës, por përpjekjet e popullit dhe institucioneve të Kosovës për siguri, zhvillim, mirëqenie, dialog e paqe, dëmtojnë klimën dhe përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim në rajon. Frymëzuesit, shkaktarët dhe fajtorët e këtyre akteve meritojnë ndëshkimin e merituar. Jemi pranë institucioneve të Kosovës dhe mbështesim përpjekjet për kthimin e normalitetit, garantimin e qetësisë e sigurisë për qytetarët e Kosovës dhe gjithë rajonin”, shkruan Spiropali.
Edhe kreu i grupit parlamentar i PD-së, Gazmend Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj aktit terrorist mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër-Lepencit. Bardhi e ka quajtur këtë akt një dëshmi të qëllimshme të destabilizimit të Kosovës nga Serbia dhe ka theksuar se këto veprime tregonin mungesën e angazhimit të Serbisë për një dialog të sinqertë dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Ai gjithashtu theksoi mbështetje të fuqishme për institucionet e Kosovës, duke pohuar se Kosova është një shtet i pavarur dhe i qëndrueshëm, dhe se integrimi i saj në Bashkimin Europian është një proces i pakthyeshëm.
“Akti terrorist mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një tjetër provë se Kosova është vazhdimisht në agresion dhe agresorët nuk kanë marrë kurrë ndëshkimin që meritojnë nga komuniteti ndërkombëtar. Akte të tilla janë një dëshmi e qartë se Serbia jo vetëm nuk është e angazhuar me seriozitet në dialogun normalizues të marrëdhënieve me Kosovën, por vazhdimisht synon destabilitetin e Rajonit dhe minimin e rregullave e ligjeve brenda territorit të Kosovës.
Duke dënuar me forcë këtë akt terrorist, mbetemi të palëkundër në mbështetje të institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kosova e pavarur dhe së shpejti anëtare e Bashkimit Europian është një realitet i pakthyeshëm. Aktet destabilizuese nuk mund të triumfojnë kurrë mbi paqen e sigurinë në Rajon dhe as mbi të ardhmen e përbashkët të popujve tanë në familjen europiane”, shkruan Bardhi.
/rtsh.al/