RTSH 24 Live

Politikë

Sulmi në Zubin Potok, Rama: BE dështoi me dialogun, fati europian i rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia

30/11/2024

Sulmi në Zubin Potok, Rama: BE dështoi me dialogun, fati europian i rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia

Kryeministri Edi Rama ka dënuar shpërthimin e ndodhur në Zubin Potok, që ka goditur infrastrukturën e furnizimit me ujë në kanalin e Ibër-Lepencit, duke e quajtur këtë një akt të rëndë sabotazhi. Ai ka theksuar se ky veprim kriminal rrezikon seriozisht jetën e qytetarëve të Kosovës dhe dëmton përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve në rajon.

Rama ka theksuar se ky akt i dhunshëm, përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në sigurinë e qytetarëve, ka pasojat e tij edhe në procesin e integrimit të rajonit në Bashkimin Europian, një qëllim që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor synojnë.

Sipas tij, Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, pasi ekzistuesi ka dështuar në përpjekjet e tij

“Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cenon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së”, shkruan Rama.

Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor, ku shkaktoi dëme në kanalin ujësjellës të Ibër-Lepencit në Kosovë, që shërben për të furnizuar popullatën vendase me ujë, por edhe për energjinë elektrike. Sulmi u dënua edhe nga SHBA dhe BE, të cilat kërkuan hetim të plotë dhe vënien para drejtësisë të autorëve.

/rtsh.al/