Oficerët e policisë së Drejtorisë së Policisë Kriminale serbe kanë ndaluar për 48-orë Milan Radoiçiqin, liderin e grupit terrorist serb që kreu sulmin ndaj Policisë së Kosovës të dielën e 24 shtatorit.
Oficerët e policisë, sipas Tanjug, gjatë ditës së sotme ushtruan kontrolle në banesën e Radoiçiq. Ky i fundit është dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd.
Më 30 shtator, Radoiçiq iu përgjigj ftesës së autoriteteve shtetërore të Serbisë dhe në cilësinë e tij si qytetar dha deklaratë në Ministrinë e Punëve të Brendshme për ngjarjet në Banjskë, më 24 shtator, në veri të Republikës së Kosovës.
Më 26 shtator, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi një video, ku deklaroi se një burrë i veshur me uniformë dhe armë në duar, i cili ka marrë pjesë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë, është Radoiçiqi.
Paraditen e së dielës (24 shtator), persona të maskuar dhe të armatosur hapën zjarr dhe hodhën granata dore në hyrje të fshatit Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër polic.
Policia e Kosovës bëri me dije se eliminoi 3 sulmues, dhe arrestoi 6 të tjerë për posedim të armëve, të municionit dhe të radiolidhjeve. Një ditë më pas u konfirmua dhe një tjetër i vrarë.
/rtsh.al/