Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është futur brenda Manastirit të Banjskës dhe ka marrë nën kontroll ndërtesën ku ndodhej grupi kriminal serb i armatosur së bashku me dhjetëra pelegrinë.
Ata janë shoqëruar në stacionin e policisë në jug të Mitrovicës për të verifikuar identitetin e tyre.
Gjithashtu, bëhet e ditur se është gjetur sasi e madhe e armatimit brenda manastirit, e po ashtu brenda automjeteve që gjendeshin pranë Manastirit. Ndërsa i arrestuari më parë nga Policia e Kosovës mësohet se është B.S., i lindur në vitin 1992, nga Mitrovica e Veriut, pjesëtar i Mbrojtjes Civile.
Gjithashtu, për ngjarjen ka reaguar edhe Manastiri i Deçanit, ku në llogarinë zyrtare të rrjetit “X”, ka dënuar ashpër sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës.
“Më herët sot, Kisha #Ortodokse #Serbe në #Kosovë dënoi fuqishëm dhe në mënyrë eksplicite sulmin e sotëm të armatosur nga sulmues të paidentifikuar të armatosur rëndë ndaj policisë së #Kosovës . Kisha denoncoi gjithashtu ndërhyrjen me forcë të personave të armatosur në manastirin e Banjskës, duke rrezikuar jetën e klerit dhe 40 pelegrinëve të pranishëm në Liturgjinë e së Dielës. Paqja dhe rendi duhet të ruhen në Kosovë dhe të gjithë qytetarët të mbrohen në mënyrë adekuate”, thuhet në reagim.
Si ndodhi ngjarja e rëndë në veri të Kosovës
Një ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (24 shtator) në Mitrovicë Veri, në hyrje të fshatit Banjskë ku persona të armatosur bllokuan rrugën me kamionë dhe më pas qëlluan me armë zjarri dhe granata dore në drejtim të policisë së Kosovës. Për pasojë, një efektiv humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Njësitë e rendit në Zveçan, pas marrjes së informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të vendngjarjes. Sapo kanë mbërritur në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme qëlluar me armë zjarri përfshirë edhe granata dore ku si pasojë e sulmit mbeti i vrarë polici i Kosovës dhe një tjetër u plagos.
Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.
/rtsh.al/