RTSH 24 Live

Ekonomi

Sulmi kibernetik ndaj e-Albania, Konfindustria: Shtyni afatin e paraqitjes së pasqyrave financiare për bizneset! Financat thonë ‘PO’

25/07/2022

Sulmi kibernetik ndaj e-Albania, Konfindustria: Shtyni afatin e paraqitjes së pasqyrave financiare për bizneset! Financat thonë ‘PO’

Sulmi kibernetik që iu bë platformës që ofron shërbimet publike online e-Albania ka bërë që shumë biznese të mos jenë në gjendje të  përmbyllin pasqyrat e tyre financiare brenda 31 korrikut 2022. Për këtë arsye, duke arsyetuar mungesën e shërbimit për disa ditë, Konfindustria kërkon nga Ministria e Financave që të shtyjë afatin e paraqitjes së pasqyrave financiare të bizneseve përtej detyrimit të datës 31 korrik 2022.

Në rast se ky afat nuk shtyhet atëherë bizneset me qarkullim mbi 5 milionë lekë xhiro vjetore nuk do të dorëzojnë dot në kohë pasqyrat financiare do të gjobiten me 60 mijë lekë dhe kjo sipas Konfindustrisë nuk është për faj të bizneseve por përgjegjësi e e-Albania.

Konfindustria, duke marre shkak nga rënia dhe problematikat e mëdha të platformës qeveritare elektronike e-albania, i kërkon Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të marri nismën ligjore për miratimin e Aktit Normativ për shtyrjen e afatit të paraqitjes së pasqyrave financiare të bizneseve përtej detyrimit të datës 31 korrik 2022.

Mbështetur në të dhënat e ardhura pranë Konfindustrisë nga bizneset është plotësisht e pamundur teknikisht depozitimi i pasqyrave financiare. Në vazhdimësi në vite vështirësitë e paraqitjes në sistemet elektronike të e-albania ka qenë të pranishme dhe shqetësimet e biznesit kanë qenë të mëdha. Tashmë është krejtësisht e pamundur.

Në rast te mos shtyrjes së afatit ligjor të mësipërm me dhjetëra mijëra biznese të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj me qarkullim mbi 5 milionë lekë të ardhura vjetore do të gjobiten automatikisht me 60 mijë lekë. Gjithçka më sipër ndodh pa asnjë shkelje nga ana e bizneseve, por përgjegjësi e plotë e platformave qeveritare elektronike.

Shqetësimi është shumë i pranishëm për efikasitetin e investimeve në ndërtimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit në Shqipëri në vlera mbi 200 milionë $. Përveç problemeve të shumta teknike sistemi shqiptar i teknologjisë ka paraqitur dobësi të mëdha në mbrojtjen e informacionit të shtetasve, qeverisë dhe qytetarëve. Vetëm pak muaj më parë rrodhën informacione private të pagave, të targave të makinave dhe numrat e telefonit, që prekën qindra mijëra qytetarë dhe biznese. Konfindustria i kërkon ekzekutivit, që njëkohësisht me aktin normativ në fjalë, të fillojë edhe rishikimi i plotë i përmirësimit të procesit të fiskalizimit, nisur edhe nga problematikat e sistemeve qeveritare të teknologjisë së informacionit”, njofton Konfindustria.

Kërkesës së Konfindustrisë Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj i është përgjigjur pozitivisht, duke thënë se afati do të shtyhet aq ditë sa nuk ka punuar dhe portali qeveritar e-Albania.

“Ministria e Financave dhe Ekonimisë njofton se, duke u nisur nga situata e krijuar ditët e fundit për arsye të mosfunksionimit të portalit qeveritar e-Albania, Qendra Kombëtare e Biznesit do të zbatojë parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative lidhur me afatin për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar. Bazuar në nenin 54 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar do të shtyhet për aq ditë sa nuk ka funksionuar portali qeveritar e-Albania.  Subjektet që nuk kanë aplikuar akoma për depozitimin e pasqyrave financiare do të rivendosen për depozitimin e tyre brenda periudhës së shtyrjes së afatit fillestar”, shkruan Ibrahimaj.

Më 17 korrik Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) njoftoi se të gjitha shërbimet publike online dhe faqet qeveritare ishin bllokuar nga një sulm kibernetik që vinte nga jashtë Shqipërisë.  Edhe pse ende nuk është përcaktuar se kush qëndronte pas sulmit kibernetik, i pari i këtij përmasave në vendin tonë, kryeministri Edi Rama tha se dyshimet janë për dy shtete, por pa përmendur emra. Kryeministri theksoi se sulmi nuk vinte vetëm nga individë të caktuar që vendosin gjoba, por pas tyre fshihej një shtet.

/rtsh.al/