RTSH 24 Live

Lindja e Mesme

Sulmi i Izraelit rrafshon një ndërtesë banimi në Bejrut, 4 të vrarë dhe të paktën 20 të plagosur

3 orë para

Sulmi i Izraelit rrafshon një ndërtesë banimi në Bejrut, 4 të vrarë dhe të paktën 20 të plagosur

Një sulm masiv izraelit ka rrafshuar një ndërtesë banimi në qendër të kryeqytetit libanez, Bejrut. Katër vetë janë vrarë dhe më shumë se 20 janë plagosur, sipas ministrisë së shëndetësisë të Libanit.

Ndërtesa tetë-katëshe u shkatërrua krejtësisht pa paralajmërim nga pesë raketa, sipas Agjensisë Kombëtare të Lajmeve (NNA) të Libanit.

Sulmi izraelit ndodhi rreth orës 04:00 të orës lokale të shtunën, teksa shpërthimet tronditën qytetin. Ushtria izraelite nuk ka bërë asnjë koment. Ekipet e emergjencës kontrolluan vendin në qarkun Basta, ku shtëllungat e tymit u ngritën nga një krater i stërmadh. Puna për heqjen e rrënojave nga vendi është ende në vazhdim, tha ministria e shëndetësisë.

Ky është sulmi i katërt i Izraelit këtë javë ndaj Beirutit qendror. Të hënën, Hezbollah i mbështetur nga Irani tha se zëdhënësi i tij Mohammed Afif ishte vrarë në një sulm ajror.

Muajt e fundit, sulmet izraelite kanë vrarë disa anëtarë të lartë të Hezbollahut në Bejrut, duke përfshirë udhëheqësin e grupit Hassan Nasrallah.

Qëllimi i deklaruar i Izraelit në luftën e tij kundër Hezbollahut është të lejojë kthimin e rreth 60.000 banorëve që janë zhvendosur nga komunitetet në Izraelin verior për shkak të sulmeve të grupit.

Në Liban, konflikti ka vrarë më shumë se 3.500 vetë dhe ka detyruar më shumë se një milion të largohen nga shtëpitë e tyre, thonë autoritetet libaneze.

Më parë këtë javë, një ndërmjetës i SHBA vizitoi si Izraelin dhe Libanin në një përpjekje për të siguruar një armëpushim./ BBC

/rtsh.al/