RTSH 24 Live

Botë

Sulmi i fuqishëm në Bejrut, Izraeli kishte në objektiv kreun e Hezbollahut

4 orë para

Sulmi i fuqishëm në Bejrut, Izraeli kishte në objektiv kreun e Hezbollahut

Izraeli ka nisur një seri sulmesh të mëdha ajrore në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, duke synuar atë që thotë se është selia qendrore e Hezbollahut dhe me qëllimin për të vrarë kreu i këtij grupit Hassan Nasrallah.

Si pasojë e sulmit dy persona kanë mbetur të vdekur ndërsa 76 të tjerë kanë mbetur të  plagosur.

Sipas zyrtarëve libanezë, disa ndërtesa u goditën në Dahieh që është bastion i Hezbollahut në jug të qytetit.

Shpërthimet vazhduan për më shumë se një minutë të ndjekur nga skena kaotike me rrugët aty pranë të mbushura me njerëz që iknin nga “sytë-këmbët”, transmeton BBC.

Sulmi erdhi pak pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u zotua në fjalimin e tij në OKB se do të “mposhtte Hezbollahun”.

Nga ana e tij, kryeministri i përkohshëm i Libanit Najib Mikati tha se sulmi i fundit tregoi se Izraelit nuk i intereson përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për të arritur një armëpushim.

Disa media izraelite raportuan se kreu i Hezbollahut, Hassan Nasrallah ishte objektivi i sulmit. Sipas burimeve pranë Hezbollahut për agjencitë e lajmeve, shpjeguan se ai është “shëndoshë e mirë”.

Izraeli ka përshkallëzuar ashpër fushatën e tij kundër grupit të armatosur libanez, me të cilin ka shkëmbyer zjarr në kufi për gati një vit.

Sulmet ajrore në Libanin jugor dhe lindor këtë javë kanë vrarë rreth 800 njerëz, shumë prej tyre civilë.

Të enjten, aleatët, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe BE-në bënë thirrje për një armëpushim të përkohshëm në Liban.

Blloku prej 12 anëtarësh propozoi një pauzë të menjëhershme 21-ditore në luftime për të gjetur një zgjidhje diplomatike, si dhe për një armëpushim në Gazë, ku Izraeli ka luftuar kundër grupit të armatosur palestinez Hamas.

Megjithatë, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Netanjahu tha se Izraeli do të vazhdojë të sulmojë Hezbollahun për të arritur qëllimin e tij për të kthyer rreth 70, mijë izraelitët e zhvendosur në shtëpitë e tyre në Izraelin verior.

“Për sa kohë që Hezbollahu zgjedh rrugën e luftës, Izraeli nuk ka zgjidhje tjetër. Dhe Izraeli ka çdo të drejtë ta largojë këtë kërcënim dhe t'i kthejë qytetarët tanë në shtëpitë e tyre të sigurt. Dhe kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë”, u shpreh në fjalimin e tij në OKB.

Zyra e Netanjahut tha më vonë se ai kishte ndërprerë udhëtimin e tij në SHBA dhe po kthehej në Izrael.

Nga ana tjetër, Pentagoni tha se SHBA nuk kishte asnjë informacion paraprak për sulmin e Izraelit në Dahieh.

/rtsh.al/