RTSH 24 Live

Politikë

Sulmet kibernetike/ Berisha: U bë për shkatërrimin e provave që lidhin krimin me Ramën! Edhe Kosova u sulmua nga sistemet tona

23/09/2022

Sulmet kibernetike/ Berisha: U bë për shkatërrimin e provave që lidhin krimin me Ramën! Edhe Kosova u sulmua nga sistemet tona

“Shkatërrimi i sistemit TIMS dhe database-s së policisë është bërë për të shkatërruar provat e lidhjes së krimit me Ramën” ishte deklarata e Sali Berishës, i cili thotë se këtë e ka të sigurt dhe të konfirmuar nga burimet e tij.

Teksa nuk e lidh sulmin ndaj sistemit TIMS me atë ndaj E-albania, Berisha tha gjatë se në databasen e policisë janë asgjësuar prova të pakontestueshme të lidhjeve mes krimit dhe qeverisë. Ai tha se ky sulm erdhi nga hackerat iranianë por dhe vetë qeveria dhe hackerat serbë e rusë.

“Qeveria ka shkatërruar të gjitha sistemet e policisë TIMS-i database e policisë shkencore e cila përmban çdo gjë rreth kriminelëve dhe grupeve kriminale. Faktikisht kemi të bëjmë me një asgjësim total të punës afro 30-vjeçare të policisë së shtetit shqiptar. Shkatërrimi i këtyre sistemeve nuk ka asnjë lidhje me sulmet e E-Albania. Shkatërrimi i këtyre sistemeve është bërë për të zhdukur prova që ekzistojnë mbledhjet e tmerrshme të krimit për Edi Ramën, Ballë, Gjiknurin, Veliajn dhe qeveritarë të tjerë. Duke asgjësuar të dhënat e këtyre sistemeve janë asgjësuar prova materiale të pakontestueshme të këtyre lidhjeve. Në operacionin e shkatërrimit të infrastrukturës digjitale janë hakera iraninë, janë hakera të qeverisë, rusë dhe serbë. Kjo është një e vërtetë e konfirmuar për opozitën nga burime shumë serioze. E them këtë për t’iu thënë të vërtetën shqiptarëve të cilët ua fsheh Edi Rama dhe klika e tij. Shqiptarët janë dëshmitarë se hakërimi masiv i të dhënave të tyre personale filloi me dorëzimin e tyre nga patronazhistët, vazhdoi me targat, letërnjoftimet”, tha Berisha.

Edhe për sulmet kibernetike të ndodhura në Kosovë, Berisha tha se ajo është sulmuar nga sistemet e Shqipërisë.

“Kosova është sulmuar nga sistemet e Shqipërisë, Mali i Zi dhe Maqedonia, nuk kam të dhëna se këta të dyja janë sulmuar nga Shqipëria por për Kosovën e sigurtë. Një penetrim i plotë i hakerave serbë ose ruse, sepse dihet që problemet më madhore me Kosovën e i kanë ato. Sibermbrotja e Kosovës kanë deklaruar në mënyrë të sigurt se sulmet janë nga Rajoni”, tha Berisha.

/rtsh.al/