RTSH 24 Live

Rajon

Sulmet e Vuçiç ndaj Kurtit dhe anulimi i pjesëmarrjes në samitin e 6 dhjetorit, BE: Shmangni tensionet, presim liderët e rajonit në Tiranë

02/12/2022

Sulmet e Vuçiç ndaj Kurtit dhe anulimi i pjesëmarrjes në samitin e 6 dhjetorit, BE: Shmangni tensionet, presim liderët e rajonit në Tiranë

BE ka kërkuar vetëpërmbajtje dhe sjellje europiane pas deklaratave të ashpra të presidenti serb Aleksandër Vuçiç ndaj Albin Kurtit, pse ky i fundit emëroi një ministri të ri serb në qeverinë e Kosovës që nuk vjen nga Lista Serbe.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano i ka bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të përmbahen nga deklarata të tilla nxitëse.

“Ne si komunitet i 27 vendeve presim nga të gjithë partnerët që të sillen në mënyrë evropiane, e kjo përfshin edhe Serbinë edhe Kosovën. Kjo nënkupton përmbajtje nga deklaratat nxitëse”, tha Stano.

Lidhur me emërimin e Nenad Rashiçit në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Stano tha se duhet të respektohet Kushtetuta e Kosovës për emërimin e ministrave që përfaqësojnë komunitetin joshumicë. Stano tha se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë për marrëveshjet detyruese dhe për kthimin e menjëhershëm të serbëve të Kosovës në të gjitha institucionet në Prishtinë.

“Është jetike që të gjitha emërimet në ministra të ndjekin Kushtetutën e Kosovës. Në këtë rast konkret, i bëjmë thirrje Kosovës që të sigurojë që të ndiqen të gjithë hapat e nevojshëm procedural me rastin e emërimit të ministrave që përfaqësojnë komunitetin joshumicë”, tha Stano.

Anulimi i Serbisë për të marrë pjesë në samitin e BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, BE tha se pret që liderët e rajonit të jenë prezent.

“Natyrisht se ky është një samit shumë i rëndësishëm dhe presim që të gjithë liderët e rajonit të Ballkanit Perëndimor të jenë të pranishëm, sikur që do të jenë edhe liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, tha ai.

/rtsh.al/