RTSH 24 Live

Politikë

Strategjia e re e Zgjerimit nga PE/ Meta: Rezerva ndaj Ballkanit të Hapur, nuk bazohet në rregullat e BE

24/11/2022

Strategjia e re e Zgjerimit nga PE/ Meta: Rezerva ndaj Ballkanit të Hapur, nuk bazohet në rregullat e BE

Partia e Lirisë ka mbështetur miratimin e Strategjisë së re për Zgjerimin nga Parlamenti Evropian, por ka vënë theksin te rezervat ndaj nismës së Ballkanit të Hapur.

Teksa rezoluta rekomandon njohjen e rëndësisë së forumeve ndërqeveritare siç është Procesi i Berlinit, dhe shpreh rezerva të forta për çdo iniciativë rajonale të bashkëpunimit ekonomik që nuk përfshin të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta deklaron se nisma e Ballkanit të Hapur nuk bazohet në rregullat e BE.

“Partia e Lirisë mbështet miratimin e Strategjisë të re për Zgjerimin nga Parlamenti Europian. Ne vlerësojmë rezervat serioze ndaj nismave si Ballkani i Hapur, që siç e kemi theksuar prej kohësh nuk bazohet në rregullat e BE. Vitalizimi i Procesit të Berlinit është vendimtar për arritje të reja të bashkëpunimit rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shkruan Meta.

Po ashtu, Rezoluta e PE e miratuar të mërkurën, vuri theksin te rëndësia e fillimit "të vonuar" të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe bëri thirrje për mbështetje për Bosnje dhe Hercegovinën në përmbushjen e 14 kërkesave kryesore të përshkruara nga Këshilli Evropian në qershor 2022, të cilat do t'i mundësonin vendit të t'i jepet statusi i kandidatit.

/rtsh.al/