RTSH 24 Live

Botë

Stoltenberg: Më shumë transparencë nga Kina për programin bërthamor

28/09/2021

Stoltenberg: Më shumë transparencë nga Kina për programin bërthamor

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka kërkuar nga Kina të tregojë më shumë transparencë në programin e saj të armëve bërthamore.

Zyra e shefi të NATO-s njoftoi se Stoltenberg zhvilloi një bisedë me ministrin kinez të Punëve të Jashtme, Wang Yi, për të diskutuar marrëdhëniet midis NATO-s dhe Kinës si dhe për sfidat e sigurisë ndërkombëtare.

Stoltenberg riafirmoi se aleanca ushtarake transatlantike nuk e percepton Kinën si një kundërshtare, por ai i bëri thirrje Kinës që të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare dhe kërkoi që Pekini të marrë më shumë përgjegjësi në respektimin e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Ai përcolli shqetësimet e aleancës në lidhje me modernizimin ushtarak të Kinës, veçanërisht për programet e saj bërthamore, si dhe ftoi Pekinin të marrë pjesë në një dialog të kontrollit të armëve me NATO-n.

Sipas shefit të NATO-s, palët mund të përfitojnë reciprokisht nga transparenca në lidhje me aftësitë dhe doktrinën e tyre bërthamore.

Duke diskutuar zhvillimet e fundit në Afganistan, Stoltenberg bëri thirrje për një qasje të koordinuar ndërkombëtare kundrejt talebanëve për t’i bërë ata të mbajnë premtimet e tyre në luftën kundër terrorizmit dhe ruajtjen e të drejtave të njeriut.

Për herë të parë në historinë e NATO-s, samiti i liderëve në muajin qershor trajtoi “ambiciet e deklaruara të Kinës, si dhe sjelljen pohuese dhe politikat shtrënguese të cilat qëndrojnë në kontrast me vlerat themelore të mishëruara” në Traktatin e Atlantikut të Veriut.

Liderët ranë dakord të përfshihen në një dialog konstruktiv me Kinën për çështjet përkatëse, të tilla si ndryshimet klimatike, por ata i bënë thirrje vendit të “respektojë angazhimet e saj ndërkombëtare dhe të veprojë me përgjegjësi në sistemin ndërkombëtar, përfshirë në fushat e hapësirës, kibernetikës dhe detare” në përputhje me rolin e saj si një fuqi kryesore./AA