RTSH 24 Live

Sociale

Spitali i ri i Laçit hap dyert së shpejti, Manastirliu: Model për spitalet e tjera bashkiake

04/08/2022

Spitali i ri i Laçit hap dyert së shpejti, Manastirliu: Model për spitalet e tjera bashkiake

Spitali i ri i Laçit, i rindërtuar pas dëmtimit nga tërmeti pritet të fillojë punën së shpejti. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar spitalin ndërsa tha se do të jetë model për të gjithë spitalet bashkiake në vend.

"Me spitalin e Laçit duam që të krijojmë një model. Një model që më pas ta shtrijmë në të gjithë Shqipërinë, përsa i përket shërbimeve që do të ofrojë ky spital, sepse i kemi grupuar në shërbimet e patologjisë, pediatrisë, obstetrikë-gjinekologjisë dhe të kemi mundësi kështu që të kemi një shërbim spitalor më efiçent”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se spitali i Laçit do të fuqizohet gjithashtu me mjekë të rinj.

Duke qenë se kemi tashmë një strukturë të mirëmenduar për një spital si i Kurbinit, por edhe në tërësi për spitalet bashkiakë, kemi vlerësuar që të kemi edhe një sallë lindjeje natyrale. Sepse patjetër që edhe me ardhjen e mjekut obstrerêr-gjinekolog, mund të bëjmë edhe lindjet në këtë spital. Kështu që kemi kemi investuar pikërisht në sallën e lindjes dhe besoj që është një tjetër hap përpara drejt një unifikimi të shërbimeve dhe në spitalet bashkiake” tha Manastirliu.

Kapacitetet e këtij spitali janë deri në 40 shtretër. Godina 50 vjeçare ku ushtronte aktivitetin Spitali i Kurbinit u shpall e pabanueshme pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Rindërtimi i Spitalit Kurbin ka një vlerë totale investimi 2.8 milionë euro dhe një sipërfaqe ndërtimi prej 2516 m2.

Me ndërtimin e spitalit të ri, më shumë se 46 mijë qytetarë të Kurbinit do të përfitojnë shërbim shëndetësor sipas standardeve më të mira.