RTSH 24 Live

Aktualitet

SPAK kundër lirimit të kardiologut Prifti, gjyqtarja Hoxha kërkon ndryshimin e masës së arrestit

05/03/2021

SPAK kundër lirimit të kardiologut Prifti, gjyqtarja Hoxha kërkon ndryshimin e masës së arrestit

Gjyqtarja Enkelejda Hoxha, ka dorëzuar përmes avokatit të saj sërish një kërkesë për ndryshim mase arresti. Arsyeja, sipas saj, është gjendja shëndetësore e djalit të saj: “Kërkoj të lirohem. Nuk ka kush e mban djalin e sëmurë që është autik. Gjendja e tij është përkeqësuar”, mësohet të ketë thënë ajo.

Si pasojë Gjykata e posaçme e shkallës se parë caktoi datën 9 mars, si ditën kur do shqyrtohet kërkesa. Enkeleida Hoxha u la nën arrest me burg edhe nga Apeli. Gjyqtarja, Enkelejda Hoxha njihet për vendimet e saj, ku shumë të dënuar janë liruar nga burgu.

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë më herët ka bërë kërkesë për shkarkimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, pasi emri i saj lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit, apo Hekuran Billa, i vrarë pak muaj më parë në Tiranë.

Gjyqtarja e Krujës, e cila ende s’ka dal në vetting, Enkeleda Hoxha, liroi nga burgu Indrit Doklen, i dënuar me burgim të përjetshëm, si anëtar i bandës së Durrësit, i akuzuar për disa vrasje, plagosje dhe krime të tjera. Të njëjtën mënyrë që gjyqtarja Hoxha përdori për lirimin e Dokles, në nëntor të 2017-ës, përdori edhe për lirimin e Genc Tafilit, i përfshirë në vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit. Tafili kishte kryer 17 vite burg, nga 25 që ishte dënuar. Një tjetër lirim që mban firmën e gjyqtares Hoxha, është edhe ai i Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim. Paja njihet për disa nga arratisjet e tij në burgjet e Italisë dhe Gjermanisë. Paja u lirua disa ditë pas Tafilit.

Enkeleda Hoxha, në vitin 2018, po ashtu vendosi lirimin nga burgu të Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja. Ai u dënua me 1 vit burg, për dhunë të ushtruar ndaj Xhisiela Malokut, por gjyqtarja vendosi konvertimin e dënimit në shërbim prove.

Mjeku Prifti këkon lirimin

Prokuroria e Posaçme (SPAK) pritet të ankimojë vendimin për lirimin nga burgu të mjekut Edvin Prifti, të cilit iu gjetën në shtëpi më shumë se 300 mijë euro. Ai akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Mjeku ankimoi vendimin për qëndrimin e tij në burg dhe Gjykata e Apelit vendosi ta lirojë, por la në fuqi vendimin për pezullimin e tij nga detyra. Por, ky vendim i Gjykatës së Apelit, nuk është pranuar nga SPAK. Prokuroria e Posaçme po pret zbardhjen e vendimit për lirimin e Priftit dhe më pas do t’i drejtohet Gjyaktës së Lartë për rekurs.