RTSH 24 Live

Aktualitet

SPAK çon në GJKKO anëtaren e KPK: Ka bërë deklarim të rremë të pasurisë

30/06/2022

SPAK çon në GJKKO anëtaren e KPK: Ka bërë deklarim të rremë të pasurisë
Anëtarja e KPK, Etleda Çiftja

SPAK ka mbyllur hetimet për anëtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja dhe e ka dërguar për gjykim në GJKKO të akuzuar për falsifikim dokumentesh. Sipas SPAK, Etleda Çiftja akuzohet se ka kryer deklarim të rremë të pasurisë lidhur me burimin e blerjes së apartamentit të banimit dhe të te dy parcelave tokë arë me sipërfaqe 1450 m2 dhe me sipërfaqe 3440 m2 për mënyrën e përfitimit të tyre.

“Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të  Organizuar Tiranë, ka vendosur të dërgojë për gjykim procedimin penal nr. 202 të vitit 2021  në ngarkim të të pandehurës: Etleda Çiftja, e akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentit“, në formën e përdorimit, parashikuar nga neni 186 paragrafi i parë i K.Penal dhe “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i K.Penal. Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar tej dyshimit të arsyeshëm se e pandehura Etleda Çiftja, në deklaratën me nr 14568 indeksi, datë dorëzimi 17.07.2017, ka kryer deklarim të rremë te pasurise, e konkretisht në lidhje me burimin e blerjes së apartamentit të banimit, te dy parcelave tokë arë me sip 1450 m2 dhe me sip 3440 m2, mënyrën e fitimit të pronësisë për dy sipërfaqet e tokave arë si dhe në lidhje me qëllimin e  marrjes së një kredie pranë ish Banka Emporiki – Shqipëri sh.a.”, thuhet në njoftimin e SPKA.

Gjithashtu nga hetimet e SPAK ka rezultuar se Etleda Çiftja “ka dorëzuar pranë ILDKPKI, një kontratë me përmbajtje të falsifikuar, referuar çmimit të pasqyruar në të, provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm, pasi kjo kontratë  nuk përputhet me atë të gjendur pranë arkivës së zyrës noteriale ku është përpiluar dhe pranë ASHK-së në momentin e regjistrimit të pasurisë për të cilën është lidhur kjo kontratë. Gjithashtu kjo kontratë përmban të dhëna të rreme edhe në lidhje me vetë veprimin e pasqyruar në të, pra shitje blerjen e parcelës tokë arë”.

KPK është shkalla e parë e vettingut ku çdo prokurorë dhe gjyqtarë i kalon filtrit të pasurisë, aftësive profesionale dhe pastërtisë së figurës. Pikërisht për një nga kriteret që anëtarja e KPK Etleda Çiftja hetonte personat në drejtësi, akuzohet sot nga SPAK për deklarim të rremë të pasurisë.

/rtsh.al/