RTSH 24 Live

Kronika

SPAK bën bilancin e qershorit: 26 persona të pandehur, mijëra euro e lekë të sekuestruara

06/07/2022

SPAK bën bilancin e qershorit: 26 persona të pandehur, mijëra euro e lekë të sekuestruara

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka bërë bilancin e punës së kryer përgjatë muajit qershor. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, SPAK bën me dije se janë  dërguar për gjykim 3 procedime penale me 26 persona të pandehur, nga të cilat, 2 procedime me 25 të pandehur për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe një procedim me një të pandehur për vepra penale që lidhen me korrupsionin.

Po ashtu, SPAK thotë se janë 12 kallëzime penale, nga të cilat për 5 kallëzime është vendosur mosfillim i hetimeve.

Gjatë muajit qershor janë konfiskuar shuma të mëdha parash, si 303.800 lekë, 20.074 euro dhe 12.000 dollarë.

Gjatë muajit Qershor 2022: Janë paraqitur 12 kallëzime penale, nga të cilat për 5 kallëzime është vendosur mosfillim i hetimeve. Janë regjistruar 7 procedime penale, nga të cilët 2 procedime për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 5 procedime për vepra penale që lidhen me korrupsionin. Janë dërguar për gjykim 3 procedime penale me 26 persona të pandehur, nga të cilat, 2 procedime me 25 të pandehur për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe një procedim me një të pandehur për vepra penale që lidhen me korrupsionin.  Bazuar në kërkesat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme është miratuar nga Gjykata e Posaçme një masë sigurimi personal ndaj një personi nën hetim.  Pas kërkesave përfundimtare të prokurorëve të posaçëm janë dhënë nga Gjykata e Posaçme 5 vendime themeli, janë deklaruar fajtorë 29 të pandehur.  Janë kthyer 54 përgjigje për shkresa të ardhura nga institucione të ndryshme lidhur me statusin e shtetasve dhe zyrtarëve publikë shqiptarë në raport me procedimet penale ndaj tyre. Janë ekzekutuar 6 vendime penale të formës së prerë si dhe janë nxjerrë 22 urdhra ekzekutimi për persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë.

Janë nxjerrë urdhra ekzekutimi per konfiskimin e pasurive të luajtshme si më poshtë:

Automjete 6 copë

Aparate celulare  82 copë të markave të ndryshme

Laptop 6 copë

Janë nxjerrë urdhra ekzekutimi për konfiskimin e Vlerave Monetare si më poshtë:

303.800 (treqind e tremijë e tetëqind ) mijë lekë

20.074 (njëzetmijë e shtatëdhjetë e katër) EURO

1.005 (njëmijë e pesë) paund (GBP)

12.000(dymbëdhjetë) mijë dollarë

2200 (dymijë e dyqindtë) franga

Janë miratuar nga prokurorët e posaçëm 30 vendime për miratim takimesh të të paraburgosurve me familjarët e tyre dhe 3 vendime per lejimin e kryerjes së bisedave telefonike.

Janë vënë në ekzekutim 3 letërporosi të ardhura nga autoritetet e huaja gjyqësore; janë dërguar 7 letërporosi për ekzekutim autoriteteve të huaja.

Janë mbajtur 4 takime koordinuese palë në marrëveshjet në kuadër të skuadrave të përbashkëta hetimore me autoritetet e huaja.

Është dërguar dokumentacioni pranë Ministrisë së Drejtësisë me qëllim ekstradimin e 3 shtetasve shqiptarë nga jashtë vendit në Republikën e Shqipërisë.

U është kthyer përgjigje e plotë 24 (njëzetë e katër) kërkesave për informacion brenda muajit Qershor 2022”, thuhet në njoftimin e SPAK.

/rtsh.al/