RTSH 24 Live

Teknologji

SpaceX prodhon raketën më të madhe në histori, kryhet sot testi fillestar i fluturimit

17/04/2023

SpaceX prodhon raketën më të madhe në histori, kryhet sot testi fillestar i fluturimit

Raketa më e fuqishme e zhvilluar ndonjëherë është gati të provojë lëshimin e saj të parë në hapësirë. Starship, është ndërtuar nga kompania SpaceX e sipërmarrësit amerikan Elon Musk.

Raketa ka një lartësi prej 120 metrash dhe është projektuar të ketë pothuajse dyfishin e fuqisë së shtytjes së çdo rakete të ndërtuar deri më sot.

Testimi i saj i parë për një udhëtim rreth Tokës është parashikuar të bëhet nga Boca Chica në Teksas, ndërsa vetë Musk tha se nuk është e pazakontë që raketat të kenë probleme me nisjen e tyre gjatë testeve fillestare.

"Është lëshimi i parë i një rakete shumë të komplikuar, gjigante, kështu që mund të ketë probleme. Ne do të jemi shumë të kujdesshëm dhe nëse shohim ndonjë gjë që na shqetëson, ne do ta shtyjmë lëshimin," tha Musk

SpaceX do të përpiqet të nis Starship në hapësirë në orën 08:00 me orën lokale, ndërsa më mijëra spektatorë do të mblidhen në vendet bregdetare në Gjirin e Meksikës për të parë ngjarjen.

Një nga spektatorët më të interesuar për të parë ecurinë e raketës është NASA, e cila i jep SpaceX pothuajse 3 miliardë dollarë për të zhvilluar një variant të Starship që është planifikuar të zbarkojë astronautët në Hënë.

Elon Musk shpreson të përmirësojë plotësisht biznesin e raketave me Starship, ku ato të lëshohen disa herë në ditë dhe të jenë të shpejta për transportin e njerëzve dhe satelitëve, njësoj siç veprojnë avionët e zakonshëm.

Musk beson se Starship mund të sjellë në një epokë udhëtimesh ndërplanetare për njerëzit e zakonshëm.

/rtsh.al/