RTSH 24 Live

Kronika

Sot KAS rinumëron 108 kuti në qarkun e Durrësit

26/05/2021

Sot KAS rinumëron 108 kuti në qarkun e Durrësit

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, (KAS) në mbledhjen e sotme do të rinumërojë 108 kuti në qarkun e Durrësit, pas pranimit të kërkesës së LSI për rinumërim të votave. Mbledhja do të nisë në orën 10:00, ku për të marrë mandatin që pretendon në Durrës, LSI-së i duhen 136 vota shtesë.
Kjo nuk është hera e parë që KAS ka rinumëruar votat e 25 prillit. Më herët, me kërkesë po të LSI-së, u hapën 114 kuti në qarkun e Beratit dhe ajo që u vu re ishte se nga rreth 35 mijë fletë votimi të numëruara për herë të dytë, LSI rikuperoi gjithsej me 15 vota, nga 77 që i duheshin për t’i marrë mandatin Partisë Socialiste. Rikuperimi prej 15 votash nga dhjetëra mijëra vota të numëruara tregoi se proporcioni ishte i papërfillshëm.
KAS ka vendosur gjithashtu të rrëzojë kërkesat e PD dhe LSI për shpallje pavlefshmërie dhe përsëritje të zgjedhjeve në Berat, Gjirokastër, Vlorë, Durrës dhe Shkodër, teksa pritet shqyrtimi i ankimimeve të tjera të bëra nga këto forca politike. Këto vendime, PD dhe LSI i kanë quajtur me prapavijë politike.