RTSH 24 Live

Politikë

Sonte në emisionin "Përballë": Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut; Fuqia e Avokatëve të Popullit…

22/06/2021

Sonte në emisionin "Përballë": Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut; Fuqia e Avokatëve të Popullit…

Viti i pandemisë ishte dëshmita i faktit se në kohë krizash të mëdha ndër veprimet dhe vendimet e para të qeverive janë ato që kanë të bëjnë me kufizimin e lirive të qytetarëve. Në kushtet kur qytetarët ankohen ndaj vendimeve të qeverisë, por edhe për mos zbatimin e vendimeve të gjyqësorit, e vetmja derë për të trokitur mbetet Avokati i Popullit. 

Por ka një keqkuptim që buron nga emri. Janë të shumtë ata që besojnë se Avokati i Popullit është avokat në kuptimin e ngushtë të fjalës, që do të përfaqësojë për problemin që ke, apo se Avokati Popullit  është fuqiplotë dhe me të pikasur padrejtësinë, nuk do të lerë gur pa lëvizur derisa drejtësia të vihet në vend.

E vërteta është se fuqia e Avokatit të Popullit është te rekomandimet. Sa zbatohen rekomandimet është tjetër çështje dhe ndoshta shumë probleme do të ishin në rrugën e zgjidhjes nëse do të plotësohej vetëm një rekomandim: rekomandimi për të zbatuar gjithë rekomandimet.
Lajmi i mirë është se në raportin vjetor të Komisionit Europian po i kushtohet vëmendje dhe po i tërhiqet vërejtje qeverive për nivelin e ulët të zbatimit të rekomandimeve.

Sonte në #Përballë do të flasim me Avokatët e Popullit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut për hallet e përbashkëta dhe sfidat e veçanta me të cilën përballen në përmbushje të misionit tyre.
Ora 21.00, RTSH 2