RTSH 24 Live

Politikë

Sonte në emisionin ‘Përballë’ në RTSH1-HD: Policia në testin e zgjedhjeve

19/01/2021

Sonte në emisionin ‘Përballë’ në RTSH1-HD: Policia në testin e zgjedhjeve

Bledi Çuçi, ministri i ri i Brendshëm, i katërti i kësaj mazhorance,  dhe i 25 i tranzicionit ka deklaruar se në fund të mandatit dëshiron që publiku të thotë se “mbaroi mandati i Ministrit të Brendshëm, dhe jo i ministrit të Poliicsë apo Rendit. Prej ministrisë së Brendshme varen shumë shërbime ndaj qytetarëve.

Por figura e ministrit të Brendshëm është njësuar me Policinë dhe Rendin sa për shkak të traditës aq edhe të problemeve që ka patur vendi me rendin.

Policia së fundmi ka qenë nën presionin e opinionit publik për ngjarje të rënda si ajo e vrasjes së një të riu 25 vjeçar 40 ditë më parë. Shpejtësia e rikthimit të besimit të publikut te policia varet nga transparenca dhe mënyra se si reagon ndaj ngjarjeve të rënda në radhët e saj.

Ministri i ri nuk ka shumë kohë në dispozicion për të ndërmarrë reforma apo për të ndryshuar në mënyrë të qenësishme mënyrën se si policia përballet me problemet e brendshme,  problemet e rendit, të hashashit apo të protestave politike.

Në më pak se 100 ditë nga zhvillimi zgjedhjeve policia sërish do të jetë në provë për të siguruar integritetin e zgjedhjeve dhe sidomos ndalimin e përfshirjes së elementëve të krimit të organizuar në fushatë apo ditën e votimit.

Sa e përgatitur është policia sot për të kaluar një prej ngjarjeve më të mëdha politike në vend siç janë zgjedhjet.

Sonte në #Përballë Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi. Ora 21.00, RTSH 1

Pj. II - Pesha e partive të vogla….

Çdo parti politike e bën të madhe apo të vogël vullneti i votuesve, numri i votave të hedhur në kuti. Në prag fushate elektorale më shumë se aritmetikë zgjedhjet janë kimi. Në më pak se 3 muaj  do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Në një anë është partia në pushtet që qeverisi e vetme katër vitet e fundit, në anën tjetër është Partia Demokratike,  forca kryesore e opozitës bashkë me aleatët e vet.

Partia Republikane, një parti historike, partia e dytë opozitare e krijuar në janar të 1991, ende nuk ka një marrëveshje me Partinë Demokratike. Mungesa e marrëveshjes bëhet më dalluese për shkak është arritur marrëveshje, me parti të tjera me histori dhe peshë elektorale më të vogël se republikanët që historikisht kanë qëndruar aleat besnik të Partisë Demokratike.

Por rezultati elektoral i aleatëve të PD-së nuk është shumë i qartë për shkak se këto parti kanë hyrë në një listë të përbashkët në zgjedhjet e fundit. Autonomia politike që kërkojnë sot aleatët e P|D-së mund të jetë e vonuar. Zgjedhjet janë në prag dhe afatet ligjore për regjistrimin e pative dhe koalicioneve janë në prag.

A do të gjejnë aleatët e vjetër gjuhën me njëri - tjetrin apo PR do të hyjë në zgjedhje e vetme?

Sonte në #Përballë kryetar i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Ora 21.40, RTSH 1