RTSH 24 Live

Politikë

Sonte në emisionin "Përballë" në RTSH1- HD: Nga vija e zjarrit në prapavijë; beteja për Tiranën

23/03/2021

Sonte në emisionin "Përballë" në RTSH1- HD: Nga vija e zjarrit në prapavijë; beteja për Tiranën

Emisioni #Përballë në RTSH1- HD

Pj. I - Nga vija e zjarrit në prapavijë!

Në momente krizash të mëdha, siç është pandemia që po kalojnë, në publik shfaqen disa figura që rrezatojnë siguri dhe ngjallin shpresë se e nesërmja do të jetë më e mirë. Këto figura, si rregull nuk vijnë nga bota e politikës. Është politika që përpiqet t’i joshë këta personalitete në fushën e tyre në përpjekje për të qenë në një sinkron me simpatinë popullore.

Për më shumë se një vit, mjekët në spitalet covid kanë qenë në “vijën e parë të zjarrit”. Najada Çomo, shefe e spitalit infektiv, edhe pse jo shumë mediatike për shkak të angazhimit në pavion, u bë figurë popullore dhe në prag të përvjetorit të betejës me covid_19 vendosi t’i bashkohet partisë në pushtet. Ajo është nr.2 në listën e Partisë Socialiste që më 25 prill kërkon mandatin e tretë për të qeverisur.

Beteja me Covid_19 është larg së qeni të përfunduari dhe beteja politike, pas dy ditësh nis zyrtarisht.  Najada Çomo, shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT thotë se nuk do të heqë dorë nga puna në pavion deri në shërimin e pacientit të fundit të infektuar me Covid_19.  A është kjo e mundur?

Sonte në #Përballë Najada Çomo, shefja e  Shërbimit Infektiv në QSUT. Ora 21.00, RTSH 1

Pj. II- Beteja për Tiranën!

Pas tetë vitesh në opozitë, Partia Demokratike me aleatët e vet kërkon të vij në pushtet me premtimin kryesor se do të lehtësojë biznesin duke zëvëndësuar taksën progresive me taksën e sheshtë 9% dhe rritje rrogash për mjekët, arsimtarët dhe pensionistët.

Tirana është qarku me numrin më të madh të deputetëve, 36 dhe nëse opozita pretendon pushtetin, kryeqyteti është testi më i mirë për të matur temperaturën elektorale në të gjithë vendin.

Sondazhet e deritanishme në rastin më të mirë parashikojnë barazim mes qeverisë dhe opozitës. Por 25 prilli, dita e votimit nuk do të dëshmojë vetëm se kush është fituesi i zgjedhjeve, por do të na tregojë edhe se cili prej sondazheve i është afruar më shumë rezultatit.

Për të folur për “betejën” për Tiranën sonte në #Përballë është Jorida Tabaku, anëtare e kryesisë së Partisë Demokratike dhe nr. 2 në listën e opozitës në kryeqytet. Ora 21.30, RTSH 1

Pj. III - Sa na mbron vaksina?!

Shqipëria ka vaksinuar deri më tani 50 mijë njerëz. Debati që shoqëroi vaksinën AstraZeneca dhe efektet anësore të saj nuk është shuar. Ndërkohë me mbërritjen e vaksinës ruse Sputnik, pyetjet për dobinë e vaksinave janë të shumta.

Në kushtet kur numri zyrtar i të infektuarve është mbi 120 mijë pyetja është: a do të arrihet më shpejt imuniteti i grupit apo zgjidhja do të na vijë përmes vaksinave?

A duhet ta bëjnë vaksinën ata që kanë kaluar Covid-in? Po vetë vaksina sa mbrotje ofron? Sonte në #Përballë me imunologun e njohur Dr. Genc Sulçebe. Ora 22.00, RTSH 1