Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka njoftuar se prej disa ditësh është hapur Sondazhi Kombëtar i Studentëve. Me anë të këtij sondazhi, studentët do të japin vlerësimin e tyre për cilësinë në Universitete. Kushi ka bërë me dije se studentët do mbeten anonimë dhe do të kenë mundësi që të shprehin opinionin e tyre dhe vlerësimet për cilësinë e arsimit të lartë. Sondazhi Kombëtar i Studentëve do të jetë i hapur deri në datën 5 qershor.
“Të dashur studentë, prej disa ditësh ne kemi nisur Sondazhin Kombëtar me qëllim marrjen e opinioneve dhe vlerësimeve tuaja rreth cilësisë në universitetet tona. Ju jeni pjesa që prekeni drejtpërdrejtë nga cilësia e arsimit të lartë, prandaj ju ftoj që në mënyrë krejtësisht anonime, të shprehni shqetësimet tuaja dhe të na ndihmoni për të marrë vendime sa më të drejta. Sondazhi tashmë ju është dërguar në email-et tuaja dhe do të jetë i hapur deri në datën 5 qershor”, tha Kushi.
/rtsh.al/