RTSH 24 Live

Politikë

Sondazhi/ Europe Elect: Ja sa përqind pritet të fitojnë PD, PS e LSI

03/01/2021

Sondazhi/ Europe Elect: Ja sa përqind pritet të fitojnë PD, PS e LSI

Shqipëria tashmë është futur në ethet e fushatës elektorale, pasi na ndajnë vetëm pesë muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Ndërkohë që qytetarët duket se kanë projektuar edhe votën e tyre, ka nisur edhe publikimi i sondazheve të para, që parashikojnë një shpërbërje të LSI.

Europe Elect, organizata që merret me publikimin e sondazheve në lidhje me zgjedhjet që pritet të zhvillohen në vendet e Europës, ka publikuar një sondazh të Institutit italian Piepoli të realizuar në Shqipëri, më 8 dhjetor për llogari të Report TV. Sipas sondazhit, Edi Rama fiton mandatin e tretë në qeveri, PD njeh një rritje të lehtë dhe LSI shkon në kufijtë e ekzistencës.

Sipas këtij sondazhi, nëse qytetarët do të shkonin të votonin sot, 56% e tyre do të votonin PS. Kjo do t’i jepte mandatin e tretë Edi Ramës, pasi sipas sondazhit PS del më mire se në 2017 ku mori 48,24% të votave.

Një rritje të lehtë njeh edhe PD, ku sipas sondazhit është në kufijtë e 32% të votave, një rritje me 3% krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të fundit.

Sondazhi parashikon edhe shkrirjen e LSI, pasi vetëm 3% e qytetarëve  do të votonin partinë që drejtohet nga Monika Kryemadhi, e cila, 4 vite më parë ka marrë 14,28% të votave.

Siç mund ta shihni edhe në tabelën e mëposhtme të publikuar në twitter nga Europe Elect, LSI pëson një rënie drastike duke humbur rreth 11% të votuesve të saj në shkallë kombëtare, krahasuar me zgjedhjet e 2017.

Sipas sondazhit, LSI duhet të luftojë me PDIU për vendin e tretë në zgjedhje, pasi partia e drejtuar nga Shpëtim Idrizi është në kufijtë e 2%.

Në zgjedhjet e 25 prillit, opozita shqiptare shkon e perçarë, ndërsa në skenën politike janë shfaqur edhe disa subjekte të reja politike, që kanë lindur kryesisht nga PD-ja.Europe Elects është themeluar në 2014 dhe është një platformë që sjell sondazhet dhe rezultatet e zgjedhjeve mund të arrihen në vendet e Evropës.