Përkthyesi Sokol Çunga ka deklaruar në emisionin “Jetë Shqiptare” se lexuesi shqiptar është bërë më përzgjedhës sa i përket librave të përkthyer.
Ai është shprehur se ka pasur raste kur lexuesit janë demoralizuar nga përkthimet e këqija dhe në këtë mënyrë janë drejtuar për t’i lexuar në origjinal.
Duke iu referuar panairit të Librit që po mbahet në Tiranë dhe zgjat deri më 19 nëntor, Çunga theksoi se lexuesit mund të vendosin sipas shijes së tyre të kultivuar për të përzgjedhur librat e përkthyer.
"Ka lexues që janë të demoralizuar dhe thonë që “nuk lexoj libra të përkthyer”. Ka raste kur e marrin atë libër dhe e lexojnë në një gjuhë tjetër. Ka ndodhur përballja me një përkthim të keq dhe tashmë nuk do ta bëjë më.
Ekziston si dukuri dhe ndodh. Nuk janë të gjitha përkthimet e mrekullueshme dhe nuk janë të gjitha përkthimet për t’u hedhur në plehra. Lexuesi mund të shohë në vijimësi përkthyesin, mund të lexojë 3-4 faqe dhe të vendosë sipas shijes së vet”, u shpreh Çunga.
Përkthyesi Çunga nënvizoi se situata me librin ka ndryshuar pasi sipas tij, “tani ka një filtër, nuk jemi në situatën e kaosit gjuhësor. Pjesa më e madhe e shtëpive botuesve nuk nxjerrin tekste të papërgjegjshme. Kështu që njëra pjesë është e skarcuar që nuk duhet të botohet”.
/rtsh.al/