RTSH 24 Live

Politikë

Skrapar, Blushi: Rrëmbimi terrorist dhe izolimi i Metës, shpreh panikun e regjimit të Ramës

3 orë para

Skrapar, Blushi: Rrëmbimi terrorist dhe izolimi i Metës, shpreh panikun e regjimit të Ramës

Sekretari i Përgjithshëm, i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi zhvilloi sot një takim në Çorovodë me strukturat drejtuese të Partisë së Lirisë në Skrapar. Në fjalën e tij Blushi i përcolli nga Skrapari përshëndetjet e Presidentit të PL, Ilir Meta.

“Më lejoni t’i përcjellim sot nga qendra e Skraparit, përshëndetjet më të përzemërta, djalit tuaj, Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, i cili dy muaj më parë u rrëmbye në mënyrë kriminale dhe sot është i izoluar padrejtësisht nga ky Narkoregjim. Ju skraparlinjtë keni një thënie shumë të mençur: Nuk rrëzohet Mali i Tomorrit nga një breshër! Nuk ka forcë që e thyen Ilir Metën”, tha Blushi.

“Ndaj lë të japim sot së bashku mesazhin e qartë nga Skrapari se nuk ka fuqi në botë që e ndal misionin e Partisë së Lirisë për të rikthyer Lirinë, Demokracinë, Dinjitetin dhe Shtetin e së Drejtës në Shqipëri, se nuk ka forcë që na pengon të sjellim ndryshimin në zgjedhjet e 11 majit dhe se Fitorja e Partisë së Lirisë në të gjithë Shqipërinë do të nisë pikërisht këtu, nga Skrapari, që nuk e kanë thyer dot pushtuesit më të egër e jo më tartabiqët e pabesë të “Rilindjes”, u shpreh ai.

Blushi theksoi se, “rrëmbimi terrorist dhe izolimi kriminal i Ilir Metës është paniku i regjimit të Edi Ramës nga krimet e shëmtuara që ka bërë në 11 vite”.

“Zero fakte, zero prova, pa asnjë akuzë penale dhe me dëshmitarë skandalozë me probleme me drejtësinë, Ilir Meta është sot në izolim ekstrem sepse në të gjitha funksionet e larta shtetërore dhe politike ai ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë mbrojtës i vendosur dhe i pakompromis i çështjes kombëtare përballë “rilindasve” dhe McGonigalëve që shpopulluan dhe po zhvatin si bisha të pangopura Skraparin dhe të gjithë Shqipërinë”, theksoi ai.

“Ka 32 vjet që hetohet Ilir Meta, me dosje kryekëput politike dhe për çdo thashethem ordiner, por asnjë provë dhe asnjë fakt të vetëm nuk ka që ai të ketë cënuar ndonjëherë ligjin. Zero me bisht. Ndaj u izolua në ekstrem para zgjedhjeve të 11 majit 2025, sepse Ilir Meta është rrezik elektoral për regjimin e rrënuar të Edi Ramës, që sot mbahet në këmbë falë një strukture kriminale si SPAK, që heton një fshat të tërë për një autokombajnë pa leje, por që nuk guxon t’i përmendë as emrin Edi Ramës dhe Erion Velisë, në aferat e përbindshme korruptive të vjedhjes së taksave tuaja që përfundojnë në xhepat e tyre”, tha Blushi.

“Ilir Meta u izolua sepse në gjendje lirie jo vetëm që do të kishte mundësinë të çmontonte shpifjet ordinere dhe shpikjet e fëlliqura, por do të ushtronte plotësisht të gjitha aftësitë e tij politikëbërëse dhe organizative, si burrë i vërtetë shteti për fuqizimin e veprimit politik të opozitës, për t’i shkurtuar ditët Narkoregjimit”, tha më tej Blushi.

Ai nënvizoi se, Partia e Lirisë do ta ketë Skraparin në qendër të vëmendjes.

“Rruga Berat-Skrapar e vitit 1946 është e amortizuar dhe është vënë dorë realisht 20 vite më parë kur ishte Ilir Meta kryeministër, që bëri zgjerim rruge.  Skrapari ka mbetur xhep pa u lidhur me Përmetin dhe Korçën. Krahina e Tomorricës pa rrugë dhe për 20 km asfalt duhen orë të tëra për t’u lidhur me Gramshin”, u shpreh Blushi.

“Do të realizojmë këto tre rrugë për të rritur frymëmarrjen, duke e kthyer Skraparin në qendër të rëndësishme turizmi dhe agroturizmi. Do të stimulojmë me programe të posaçme turizmin, duke rritur numrin e bujtinave dhe përmirësimin e shërbimeve në kulinari”, tha ai.

“Do t’i kushtojmë shumë vëmendje industrisë së përpunimit. Do të ngremë magazina frigoriferike, ku gjithë frutat të depozitohen dhe të shiten me çmim maksimal dhe shpenzimet për mirëmbajtje dhe magazinim t’i përballojë shteti”, theksoi më tej Blushi.

“Programi i Partisë së Lirisë, 5 Prioritetet tona për 4 milion shqiptarë plus do t’i japin zgjidhje të drejtpërdrejtë problemeve të mëdha që ju keni ju, sepse i jep fund shpopullimit dhe e shndërron vendin në fuqi eksportuese përmes mbështetjes së fuqishme për bujqësinë dhe blegtorinë me pagesa të drejtpërdrejta”, tha Blushi.

Ne, shtoi ai, “do të japim pagesë grant të menjëhershëm 10 mijë euro për çdo biznes të ri bujqësor familjar dhe përjashtim nga taksat e tatimet për 5 vite. Do të japim pagesë direkte për pemishtet 500 Euro/hektar ose 50 Euro/dynym në mënyrë që qershitë e famshme të Skraparit të kultivohen sa më shumë e të gjejnë shitje jo vetëm në tregun vendas, por edhe në atë ndërkombëtar. Do të japim pagesë direkte për sasinë e dorëzuar të frutave 0,2 Euro/kg. Pagesë direkte për vreshtat me 1000 Euro/hektar ose 100 Euro/dynym, si një mbështetje jo vetëm për kultivimin e rrushit por edhe për prodhimin e rakisë së jashtëzakonshme të Skraparit dhe rehanisë. Pagesë direkte për sipërfaqet e mbjella me perime në fushë të hapur me 1000 Euro/hektar ose 100 Euro/dynym dhe pa kufizim të sezonit të mbjelljeve. Pagesë direkte për sipërfaqet e mbjella me perime në sera me 3500 euro/hektar ose 350 Euro/dynym dhe pa kufizim të sezonit të mbjelljeve. Pagesë direkte për bimët mjekësore dhe aromatike 1000 Euro/hektar ose 100 Euro/dynym pa kufizim të sezonit të mbjelljeve. Pagesë direkte për çdo kokë lopë nga 80 euro, në 200 euro. Pagesë direkte për çdo krerë dele e dhi nga 12 euro, në 60 euro”, tha Blushi.

Ai shtoi se, “financimi i fermave blegtorale do të jetë me 200 Euro për krerë lope dhe pragu i përfitimit do të ulet në 3 krerë nga 10 që është aktualisht, si dhe në 20 krerë nga 100 që është aktualisht për tufat e të imtave (dele e dhi)”.

Ai shtoi se “një vëmendje të veçantë në programin tonë kanë edhe pensionistet, qe është kategoria me e përvuajtur, me e varfër por edhe me e mashtruar, me e përulur nga Edi Rama ne 11 vite. Sot një pensionist ne Skrapar duhet ta dije se është me i varfër se ne vitin 2013 kur ” Rilindja ” erdhi ne pushtet”.

“Do të rimbursojmë të gjitha ilaçet për pensionistet. Do të indeksojmë plotësisht masën e pensionit, duke e llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit te artikujve ushqimore”, shtoi Blushi.