RTSH 24 Live

Kulturë

Skena e teatrit humbet një tjetër emër të njohur, ndahet nga jeta aktori shkodran, Enver Hyseni

29/10/2022

Skena e teatrit humbet një tjetër emër të njohur, ndahet nga jeta aktori shkodran, Enver Hyseni

Skena e teatrit humbet një tjetër emër të njohur të saj. Sot është ndarë nga jeta në moshën 71 vjeçare, aktori i mirënjohur i teatrit “Migjeni”, Enver Hyseni. Lajmi është bërë i ditur nga Teatri Migjeni Shkodër, nëpërmjet një njoftimi.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur të teatrit “Migjeni”, Enver Hyseni! Ngushëllimet tona të sinqerta shkojnë për familjen dhe komunitetin e artistëve! 𝗨 𝗣𝗥𝗘𝗛𝗦𝗛 𝗡𝗘 𝗣𝗔𝗤𝗘, ENVER HYSENI! Homazhet zhvillohen nesër, me datë 30 Tetor nga ora 10-12, në hollin e teatrit “ Migjeni”, thuhet në njoftim.

Profili

Aktori i mirënjohur u lind në Shkodër më 1 Gusht 1951. Ai studioi në Institutin e Lartë të Arteve për një periudhë të shkurtë (1973-1974) duke i ndërprere ato për arsye ekonomike. Më 1975 nis punën në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, derisa del ne pension ne v.2016.

Enver Hysenin do ta kujtojmë me të shkuarën e tij, në të cilën shkëlqeu të performonte disa nga veprat më poshtë:

“Baca e Gjetjave”; “Çështja e Blertës”; apo edhe tek filmi televiziv “Flaka e maleve” .

Ai u aktivizua edhe në disa filma artistikë para viteve ‘90 dhe pas ndryshimit të sistemit dhe me role të tjera po në filma, teatër e komedi te ndryshme.

“Ylli i mëngjesit” ; “Një histori humbësish ose Mos pështyni përtokë”, “Rëndësia për të qenë Ernesto” “Kandili i argjendte” ; “ Shën Gjon kryepremi”; “Migjeni ky uragan” (dokumentar); “Gjaku që fal gjakun” (film i metrazhit të shkurtër); “Klithma në dëborë” dhe në vitin 2019 aktori shkodran eshte ngjitur ne skenen e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me monodramen e shkruar nga S. Capaliku “Dome”.

/rtsh.al/