Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim një shtetas izraelit dhe 38 shqiptarë, të akuzuar për mashtrim kompjuterik dhe pastrim të produkteve të veprës penale përmes call-ceterave. Hetimi ka zbuluar një skemë ndërkombëtare mashtrimi që ka shkaktuar një dëm financiar prej mbi 2 milionë eurosh.
Në përfundim të hetimit trevjeçar është dokumentuar se skema u realizua përmes platformave fiktive të investimeve në internet, si "CFD-Tradingplattform" dhe "FX-Leader". Pjesëmarrësit, të cilët ishin të manipuluar nga të ashtuquajtur brokerë financiarë, ishin të joshur të investonin shuma të mëdha në kriptovaluta dhe aksione, duke besuar se do të përfitonin fitime të mëdha.
Hetimet e zhvilluara nga Prokuroria e Tiranës zbuluan se transferatat e parave u bënin përmes një qendre thirrjesh, "Capital SHPK 1001" në Tiranë, ku “viktimat” u inkurajuan të investonin sasi të mëdha parash, duke iu premtuar fitime të shpejta. Skema përdorte teknologji të avancuar dhe platforma ndërkombëtare, duke përfshirë Paypal, Binance dhe Coinbase, për të pastruar paratë dhe për të fshehur origjinën e tyre të paligjshme.
“Sapo viktima regjistrohej në platformën e mashtrimit me emër, mbiemër, email dhe numrin e telefonit, autorët i kontaktonin menjëherë në telefon dhe krijohej një lidhje besimi me “klientin” e pretenduar. Fillimisht viktimat tundohen të investojnë në sasi të vogla me premtimin se ndërmjetësi (broker) i pretenduar i faqes së investimeve, do të realizonte një fitim të madh me investimin e aksioneve dhe kripto valutave. Faqja e internetit “fx-leader.com” merrej në mënyrë fiktive me biznes në fushën e trasanksioneve financiare me të ashtuquajtura opsione binare. Për këtë qëllim krijoheshin posaçërisht qendra thirrje (call center), me anë të të cilave “klientet” kontaktoheshin nga një konsulent financiar personal, për t’i joshur që të bëjnë investime të larta.
Të gjitha fitimet dhe humbjet stimuloheshin virtualisht. Një algoritëm përkatës bënte që fitimet e fillimit t’i shtynin pjesëmarrësit për të investuar shuma të mëdha parash. Në momentin që personi i prekur kërkonte që të merrte fitimet e tij apo depozitat, kjo gjë nuk mundësohej. Sipas qëllimit fillestar, sistemi ishte i ndërtuar në formë të tillë që t’i mbante varur personat e prekur deri sa tu merrej mjaftueshëm para në mënyrë të paligjshme, dhe më pas faqet mbylleshin”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Përveç shtetasit izraelit, R.G., i cili është akuzuar për kryerjen e veprës penale të mashtrimit kompjuterik dhe pastrimit të parave, janë përfshirë gjithashtu 38 shtetas shqiptarë, të cilët janë akuzuar për bashkëpunim në këtë veprimtari kriminale.
Hetimi ka përfshirë dhe autoritete të tjera europiane, si ato gjermane dhe çeke, ku janë identifikuar viktima të tjera të mashtrimit.
/rtsh.al/