RTSH 24 Live

Kosova

Situata në veri, Kurti takim me liderët politikë

26/09/2021

Situata në veri, Kurti takim me liderët politikë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë i ka ftuar liderët e subjekteve opozitare në Kuvend, dhe sot në mëngjes ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. 

Sipas një komunikate të Qeverisë, takimi i sotëm është zhvilluar me qëllim të njoftimit të partive opozitare për gjendjen e sigurisë në vend, në veçanti në veri të Kosovës. “U bisedua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Krerët opozitarë Krasniqi dhe Abdixhiku shprehën mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit tonë. Ata po ashtu theksuan mbështetjen për Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore”, thuhet në njoftim. 

Për të shtatën ditë radhazi situate në very të Kosovës mbetet e njëjtë, me bllokimin nga serbët në pikat kufitare të Bërnjakut dhe Jarinjës. Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.