RTSH 24 Live

Kosovë

Situata në veri/ KASH apel faktorit ndërkombëtar: Ndihmoni Kosovën të vendosë sundimin e ligjit

28/05/2023

Situata në veri/ KASH apel faktorit ndërkombëtar: Ndihmoni Kosovën të vendosë sundimin e ligjit

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka bërë  apel faktorit ndërkombëtar që të mbështesë Kosovën në mënyrë qët të vendosë sundimin e ligjit e të Kushtetutës në të gjithë territorin e saj.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka ndjekur dhe trajtuar në vijimësi situatën në veri të Kosovës. Kemi shprehur shqetësimin lidhur me paqëndrueshmërinë dhe sigurinë në komunat me shumicë serbe, si rrjedhojë e aktivitetit destabilizues e kriminal të strukturave parapolitike e paraushtarake paralele që veprojnë në këto komuna, të mbështetura nga Beogradi, nëpërmjet agjencive të inteligjencës serbe, që po konfirmojnë dita-ditës se janë proxy të shërbimeve sekrete ruse.

Në lidhje me zhvillimet e fundit, ritheksojmë se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe integriteti i saj territorial është i pacenueshëm.

Zbatimi i ligjit dhe funksionimi i institucioneve demokratike e ka shndërruar Republikën e Kosovës në një shembull demokracie për të gjithë rajonin dhe në një kontributore të pazëvendësueshme të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajon e më gjerë. Zbatimi i ligjit në tërë territorin e Kosovës është bazë themelore për funksionimin e shtetit ligjor në Kosovë, çka e bën atë shembullin që përmendëm më lart”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Ambasadorëve.

KASH ka vlerësura profesionalizmin e strukturave të sigurisë së Republikës së Kosovës në qetësimin e situatës dhe jetësimin e hapave dhe vendimmarrjeve demokratike, institucionale e kushtetuese, të realizuara së fundmi në veriun e vendit.

“Këshilli i Ambasarëve Shqiptarë shpreh bindjen se qëndrueshmëria dhe zbatueshmëria e veprimeve, mëse të justifikuara, të qeverisë së Republikës së Kosovës në drejtim të qetësimit të situatës ne veriun e vendit, do të jenë të plota e eficiente, nëse qeveria do të vijojë të jetë e angazhuar në një konsultim dhe koordinim të pandërprerë me miqtë e saj, me BE-në dhe SHBA-në”, thuhet më tej në deklaratë.

Ndërsa i bën thirrje faktorit ndërkombëtar “të ruajë neutralitetin dhe të mbështesë Republikën e Kosovës që të vendosë sundimin e ligjit dhe të Kushtetutës në të gjithë territorin e saj, si dhe të dënojë e veprimet dhe provokimet nacionaliste të botës serbe, të Serbisë e të Presidentit të saj, sikundër ndodhi dhe me deklaratat e fundit të papërgjegjshme të tij”.

/rtsh.al/