RTSH 24 Live

Aktualitet

Situata në Rinas, ekspertë ushtarakë të aviacionit mund të marrin në kontroll fluturimet

07/04/2021

Situata në Rinas, ekspertë ushtarakë të aviacionit mund të marrin në kontroll fluturimet

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka vendosur kontakte urgjente të mërkurën me Ministrinë Shqiptare të Mbrojtjes, pas bllokimit të aktivitetit në aeroportin e Rinasit, bëjnë të ditur burime mediatike shqiptare, ende të pa konfirmuara zyrtarisht.
Sipas këtyre burimeve arsyeja e marrjes së këtyre kontakteve lidhet me rrezikun potencial që paraqitet me disa fluturime që pritet të kryhen këtë fundjavë nga Shtetet e Bashkuara me avion dhe logjistikë ushtarake.
Logjistika dhe teknologjia ushtarake që pritet të dislokohet këtë fundjavë lidhet me përgatitjen e DEFENDER – Europe 21, një prej stërvitjeve më të rëndësishme të NATOS-s.
Stërvitja do të përfshijë pjesëmarrjen e afro 30 mijë trupave nga 26 shtete. Në Shqipëri do të kalojnë 6 mijë trupa dhe do të dislokohet rreth 20% e kapaciteteve ushtarake që do të marrin pjesë në këtë stërvitje. Stërvitja është parashikuar të nisë pas tre javësh. Por një pjesë e logjistikës ushtarake pritet të mbërrijë paraprakisht. 
Gjithnjë sipas burimeve meditike kryeministri Rama është në kontakte intensive dhe nuk përjashtohet marrja e masave drastike. Mes tyre kalimi i aeroportit të Rinasit në kontroll të ekspertëve ushtarakë të Aviacionit. Një precedent i ngjashëm ka ndodhur edhe në Spanjë në vitin 2010.