RTSH 24 Live

Kosovë

Situata në Kosovë, gjenerali Hokanson: Shmangia nga përpjekjet për stabilitet, shqetësuese!

09/06/2023

Situata në Kosovë, gjenerali Hokanson: Shmangia nga përpjekjet për stabilitet, shqetësuese!

Gjenerali amerikan Daniel Hokanson, Shef i Byrosë së Gardës Kombëtare dhe anëtar i Shefave të Shtabit të përbashkët të Shteteve të Bashkuara, ka thënë se shmangia nga përpjekjet për paqe dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit është dicka për të cilën të gjithë duhet të shqetësohen. 
Komentet e tij për zhvillimet e fundit në Kosovë, gjenerali Hokanson i bëri gjatë një interviste në Tiranë për Zërin e Amerikës. 

I pyetur nëse është i shqetësuar për zhvillimet e fundit në Kosovë, ku SHBA-të kanë një prani ushtarake në kuadër të KFOR-it, Gjenerali Hokanson tha se "Në çdo kohë, ka një shqetësim për dhunën, ne jemi shumë të shqetësuar për këtë. Natyrisht, përparësia jonë është paqja dhe stabiliteti në rajon, dhe nga të gjitha të dhënat duket se gjithçka është duke u normalizuar. Di që ka dialog të vazhdueshëm!" tha gjenerali amerikan. "Mendoj se është shumë e rëndësishme që të gjithë udhëheqësit të jenë transparentë në bisedat e tyre. Në fakt, ne duam të fokusohemi në paqe dhe stabilitet në rajon në mënyrë që qytetarët tanë të mund të bëjnë përpara dhe vendet tona të mund të përparojnë. Dhe çdo gjë që shmanget nga kjo, është diçka për të cilën të gjithë duhet të shqetësohemi" tha ai.

"Padyshim, rëndësia e KFOR-it, jo vetëm i Shteteve të Bashkuara, por e forcave të kombeve të tjera, është atje për të ndihmuar në ruajtjen e paqes" tha Gjenerali amerikan Daniel Hokanson, Shef i Byrosë së Gardës Kombëtare dhe anëtar i Shefave të Shtabit të përbashkët të Shteteve të Bashkuara.

( Marrë me shkurtime nga Zëri i Amerikës )