RTSH 24 Live

Rajon

Situata e tensionuar në Kosovë, reagon Borrell dhe Stoltenberg: Palët të përmbahen

27/09/2021

Situata e tensionuar në Kosovë, reagon Borrell dhe Stoltenberg: Palët të përmbahen

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të largojnë menjëherë policinë speciale dhe barrikadat në veri të Kosovës.

“BE do t’i mbështesë në mënyrë aktive këto përpjekje. Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë janë plotësisht përgjegjës për çdo rrezik për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve lokale si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. E theksova këtë në thirrjet e mia me Presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti këtë javë”, ka theksuar ai.

Situata në veri të Kosovës, në kufi me Serbinë, angazhoi edhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Bisedova me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për nevojën e ç’tensionimit të situatës në veri të Kosovës. Është qenësore për të dy, Beogradin dhe Prishtinën, të përmbahen dhe t’i rikthehen dialogut”, tha ai.

Pas këtij reagimi, nuk mungoi as komenti i presidentit Vuçiç. “Ne nuk do të hyjmë me trupat tanë. Paqja është më e nevojshme”, tha Vuçiç./A2